Ahengu i policëve që përfundoi në tragjedi: Fatlum Mehmeti dënohet me 8 vjet burg për vrasjen e kolegut
Është dënuar me 8 vite burg, polici Fatlum Mehmeti për akuzën “Vrasje me dashje eventuale”.
Rasti kishte ndodhur në një villë në fshatin Zllatar të Prishtinës, ku Mehmeti akuzohej se kishte vrarë kolegun e tij, policin, Lirim Haxhollin.
Aktgjykimi u shpall të mërkurën me shumicë votash nga trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Ertan Sejfulla- kryetar dhe anëtarët: Sulltane Hoti dhe Naser Foniqi.
Ndaj Mehmetit u caktua edhe dënim plotësues- ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratë publike ose në shërbim publik në kohëzgjatje prej 5 vitesh.
Në dënimin me burgim, të njëjtit i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak, pasi vendimi të marrë formën e prerë.