Zyrtare: Valon Berisha huazohet te Melbourne City në Australi - NACIONALE

Zyrtare: Valon Berisha huazohet te Melbourne City në Australi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Valon Berisha i është bashkuar klubit australian Melbourne City nga Stade de Reims në një marrëveshje huazimi njëvjeçar, në pritje të aprovimit të vizës.

Përfaqësuesi i Kosovës do ta kalojë sezonin 2022/23 në A-League të Australisë, në atë që shihet një hap mbrapa në karrierën e mesfushorit.

“Kemi kënaqësinë t’ju njoftojmë se përfaqësuesi i Kosovës Valon Berisha do t’i bashkohet Cityt në huazim nga klubi i Ligue 1 Stade de Reims”, thuhet në njoftimin e klubit australian.

Berisha u shpreh i ngazëllyer që iu bashkua klubit më të suksesshëm australian në vitet e fundit.

“Unë jam shumë i ngazëllyer që jam këtu në Melbourne, në një ekip i cili ka qenë shumë i suksesshëm në fushë viteve të fundit. Do ta jap më të mirën për ta ndihmuar ekipin të fitojë më shumë trofe këtë sezon”, tha Berisha.

Ai e sheh kalimin në ligën elitare australiane si sfidë dhe thotë se mezi pret t’ia fillojë.

“Është një sfidë e re për mua dhe mezi pres t’ia filloj. Lojtarët dhe trajnerët më kanë pritur shumë mirë që prej se kam ardhur këtu dhe mezi pres t’i takoj edhe tifozët e Cityt në ndeshjen tonë të parë”, shtoi ai.

Berisha do të debutojë në ndeshjen hapëse të Cityt kundër Western Unitedt më 7 tetor.

Marrëveshja mes klubeve është huazim i thjeshtë, që nënkupton se Berisha do të kthehet në Reims verën e ardhshme.

Berisha, i cili iu bashkua Reimsit nga Lazio në vitin 2020, e humbi vendin në skuadrën franceze qysh në fillim të këtij sezoni dhe trajneri Oscar Garcia nuk i dha asnjë minutë lojë në sezonin e ri.

Mesfushori 29-vjeçar, i cili i bëri 35 paraqitje dhe i shënoi 4 gola për Reims në dy sezone, do të përpiqet ta ringjallë karrierën e vet këtë sezon në City, ku do të ketë hapësirë më të madhe për të luajtur.

Lajme të ngjashme