Zyrtare: PSG-ja i thirr Messin e Mbappen për ndeshjen kundër Bayernit në Ligën e Kampionëve
Duket se Lionel Messi dhe Kylian Mbappe i kanë lënë mbrapa lëndimet, pasi janë thirrur nga trajneri Christophe Galtier për ndeshen e parë të një të tetës së finales në Ligën e Kamionëve kundër Bayern Munich të martën.
PSG-ja e pret Bayernin në Parkun e Princave nesër në mbrëmje, për ndeshjen e parë të rrethit të 16 më të mirëve në garën më prestigjioze evropiane.
Trajneri Christophe Galtier do të mundë të llogarisë në dyshen kryesore sulmuesi, Messi dhe Mbappe, pavarësisht se ishte raportuar ditë më parë se ata do të mungonin shkaku i lëndimeve.
Messi, Mbappe dhe Marco Verratti, mesfushori italian që ishte në dyshim po ashtu, janë pjesë e skuadrës që do të përballet me Bayernin nesër mbrëma.
Mbappe ishte rikthyer në stërvitje të lehta dje, ndërsa sot bëri stërvitje të plotë bashkë me Messin dhe Verrattin.
Të dielën, mediat franceze raportuan se Mbappe i ishte bashkuar një grupi të vogël të lojtarëve të PSG-së në stërvitje dhe se e kishte përshpejtuar riaftësimin nga lëndimi muskulor në kofshe.
PSG-ja kishte thënë se Mbappe do të mungonte tri javë, pasi u lëndua kundër Montpellier më 1 shkurt, dhe nuk pritej të paraqitej kundër Bayernit të martën në rrethin e 16 më të mirëve në Ligën e Kampionëve.
Në stërvitjen me grupin të hënën në mëngjes u panë edhe Messi e Verrati, që kishin pasur lodhje muskulore dhe kishin munguar në disfatën kundër Monacos në fundjavë.
Trajneri Christophe Galtier tani do t’i ketë me vete të gjitha yjet e skuadrës për përballjen me kampionin gjerman të martën dhe ish-skuadrën e vet Lille në Ligue 1 më 19 shkurt.
