Zyrtare: Prishtina nënshkruan me Egzon Sinanin
Ashtu siç pritej, mbrojtësi Egzon Sinani i është bashkuar klubit nga kryeqyteti FC Prishtina.
Pas një viti te skuadra e Gjilanit, 29-vjeçari njoftoi largimin me anë të një postimi në “Facebook”, ndërsa tani i është bashkuar ish kampionit të Kosovës.
Me anë të një komunikate zyrtare, Prishtina shkruan se pas një këmbëngulësie e bindi Sinanin që ta pranojë ofertën e tyre.
“Qendërmbrojtësi me përvojë, Egzon Sinani, 29 vjeç, i lindur më 07.06.1994 në Podujevë, ish-futbollisti i Llapit, Ballkanit dhe së fundi Gjilanit, ka pranuar këmbëngulësinë e skuadrës që të jetë pjesë e jona duke iu bashkëngjitur skuadrës në Pogradec”.
Ndërsa, Sinani ka deklaruar për faqen zyrtare të klubit se synon ta fitojë titullin kampion.
“Prishtina është klubi më i trofeshëm, me kushtet më të mira dhe nuk e pata të vështirë të pranoja ofertën për t’u veshur “bardhekaltër”, pavarësisht se viteve të kaluara nuk ishin krijuar kushtet dhe rrethanat që më herët t’i bashkohesha skuadrës”.
“Besoj shumë, se minimumi i minimumit të synimit do të jetë pjesëmarrja në garat ndërkombëtare. Por, duke e parë ekipin nga afër se çfarë disponon, jam i bindur që do të ndjekim edhe titullin".
"Kemi grup jashtëzakonisht të mirë futbollistësh, por më së shumti më gëzon fakti që shumica e futbollistëve janë të rinj dhe po shoh shumë entuziazëm të madh në grup”.
Kujtojmë, Prishtina duhej të garonte në garat evropiane por s’u licencua nga FFK-ja, kësisoj i ka mbetur vetëm të përgatitet për edicionin e ri 2023/24.