Zyrtare: Ousmane Dembele edhe për dy vite te Barcelona
Barcelona ka konfirmuar rinovimin e kontratës së sulmuesit Ousmane Dembele edhe për dy vitet e ardhshme.
Që disa muaj e ardhmja e francezit ka qenë në dyshime, me klubet si PSG dhe Chelsea që ishin ne negociata me lojtarin.
Mirëpo, Dembele në fund pas një seri negociatash me klubin katalunas kanë gjetur gjuhën e përbashkët për rinovimin e kontratës.
Barcelona përmes komunikatës së fundit, ka zyrtarizuar qëndrimin e Dembeles edhe për dy vitet e ardhshme.
"FC Barcelona dhe lojtari Ousmane Dembele kanë arritur marrëveshje për rinovimin e kontratës deri më 30 qershor 2024".
Dembélé, culer until 2024 💙❤️
— FC Barcelona (@FCBarcelona) July 14, 2022
Dembele iu bashkua Barcelonës në vitin 2017
Dembele kaloi te Barcelona kur ishte vetëm 20 vjeç, më saktësisht në verën e vitit 2017 nga Borussia Dortmund, duke debutuar pastaj ndaj rivalit lokal, Espanyol ku edhe dhuroi një asistim.
Por, pavarësisht fillimit të mbarë, ai asnjëherë nuk gjeti formën më të mirë të mundshme shkaku i lëndimeve të shpeshta.
Brenda pesë viteve, Dembele ka zhvilluar 150 ndeshje duke kontribuar në përgjithësi me 34 asistime dhe realizuar 32 gola.
Francezi në total ka fituar dy herë La Liga-n dhe dy herë Kupën e Mbretit.
Chelsea dhe PSG ishin të interesuara për shërbimet e francezit
Chelsea dhe PSG deri vonë provuan ta bindin Dembelen për të mos rinovuar dhe që t’iu bashkohet si agjent i lirë.
Në fakt, në janar thuhej se klubi francez veçse kishte marrëveshje verbale, por që pastaj dështoi me ardhjen e Luis Campos si drejtor sportiv, që preferonte lojtarë të tjerë.
Nga ana tjetër, ishte trajneri Xavi Hernandez i cili arriti ta bind Dembelen për rinovimin e kontratës, pasi disa herë edhe publikisht e konfirmoi se është ndër lojtarët kyç në planin e tij.
Kështu, Dembele tani do të vazhdojë qëndrimin te Barcelona edhe për dy vitet e ardhshme, më saktësisht deri më 2024.