Zyrtare: Orges Shehi emërohet trajner i Ballkanit pas largimit të Pollozhanit
Kampioni i Kosovës në fuqi, Ballkani, nuk ka vonuar shumë dhe ka emëruar trajnerin e ri.
Orges Shehi, ish-portieri i njohur nga Shqipëria do të jetë në krye të tre herë kampionit të Kosovës që nga sot.
Me largimin e Ilir Dajës, Artim Pollozhani zuri vendin e tij, por për këtë të fundit aventura në Suharekë nuk zgjati shumë.
Zhgënjimet me rezultatet e fundit dhe eliminimi nga Kupa e Kosovës në rrethin e parë, bëri që Pollozhani të kërkonte largimin, që u aprovua nga klubi.
Suharekasit nuk vonuan me përzgjedhjen e re, duke marrë trajnerin Shehi, i cili tashmë ka krijuar një përvojë si trajner, por që do të jetë aventura e parë në Kosovë.
Lajmin për emërimin e ish-portierit të Kombëtares së Shqipërisë e komunikoi klubi në faqën zyrtare, ku i uruan trajnerit të ri suksese në kapitullin e tij me Ballkanin.