Zyrtare: Mason Mount transferohet te Manchester Unitedi - NACIONALE

Zyrtare: Mason Mount transferohet te Manchester Unitedi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Manchester Unitedi ka njoftuar për ardhjen më të re në skuadër. Bëhet fjalë për ish-yllin e Chelseat, Mason Mount, i cili ka nënshkruar me djajtë e kuq një marrëveshje afatgjate.

Mount përfundoi testet mjekësore me klubin e tij të ri përpara se të nënshkruajë një kontratë pesëvjeçare që do ta mbajë atë në Old Trafford deri në vitin 2028 - me opsionin e një viti shtesë. United thuhet se do t'i paguajë Chelseat rreth 65 milionë euro për 24-vjeçarin teksa pesë milionë euro do të jenë bonuse varësisht nëse ai fiton Premierligën ose Ligën e Kampionëve.

Trajneri i United, Erik ten Hag thuhet se e identifikoi Mountin si objektivin e tij kryesor të verës, me reprezentuesin anglez që konsiderohet të jetë i përshtatshëm për sistemin e tij taktik. Chelsea kishte ndërmarrë hapa për të provuar dhe zgjatur kontratën e Mount përtej datës së skadimit të vitit 2024, por një marrëveshje përfundimtare nuk u arrit kurrë dhe ai ka zgjedhur të marrë një sfidë të re larg Stamford Bridge.

"Nuk është kurrë e lehtë të largohesh nga klubi ku je rritur, por Manchester United do të ofrojë një sfidë të re emocionuese për fazën tjetër të karrierës sime," tha Mount në intervistën e tij të parë për faqen zyrtare të United.

"Duke konkurruar kundër tyre, unë e di se sa e fortë është një skuadër që po bashkohem dhe mezi pres të jem pjesë e përpjekjes së këtij grupi për të fituar trofe të mëdhenj. Të gjithë mund të shohin se klubi ka bërë hapa të mëdhenj përpara nën drejtimin e Erik ten Hag. Pasi u takova me menaxherin dhe diskutova planet e tij, nuk mund të isha më i emocionuar për sezonet në vijim dhe jam gati për punën e vështirë që pritet këtu. Unë jam jashtëzakonisht ambicioz. E di se sa e mrekullueshme është të fitosh trofe të mëdhenj dhe çfarë duhet për ta bërë këtë. Do të jap gjithçka për ta përjetuar atë sërish te Manchester United.”

Mount është bërë nënshkrimi i parë i madh i United gjatë kësaj vere, duke i dhënë fund lidhjes së tij të gjatë me Chelsean. Ai fillimisht u bashkua me të kaltrit në vitin 2005 dhe bëri debutimin në skuadrën e parë 12 vite më vonë, përpara se të vazhdonte të paraqitej në 195 ndeshje në të gjitha garat për klubin. Mount regjistroi 33 gola dhe 37 asistime me fanellën e Chelseat, duke fituar medalje të Ligës së Kampionëve, Kupës së Botës për Klube dhe UEFA Superkupës gjatë kësaj rruge.

Lajme të ngjashme