Zyrtare: Jack Wilshere pensionohet në moshën 30-vjeçare - NACIONALE

Zyrtare: Jack Wilshere pensionohet në moshën 30-vjeçare

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-mesfushori i Arsenalit dhe Anglisë, Jack Wilshere, e ka njoftuar pensionimin nga futbolli në moshën 30-vjeçare.

Wilshere i bëri 125 paraqitje në Premierligë për Arsenalin dhe e fitoi dy herë FA Cup, pasi debutoi për topçinjtë në moshën 16-vjeçar.

Më vonë ai kaloi kohë edhe në West Ham, Bournemouth dhe klubin danez Aarhus Gymnastikforening.

Në një njoftim në rrjetet sociale, Wilshere – i cili i bëri 34 paraqitje për Anglinë – tha se karriera nisi të shuhej me shpejtësinë në kohët e fundit.

“Sot po njoftoj pensionimin tim nga futbolli profesional. Ka qenë një rrugëtim i jashtëzakonshëm i mbushur me plot çaste të jashtëzakonshme dhe ndihem i privilegjuar për të gjitha përjetimet gjatë karrierës sime”, shkroi Wilshere në Twitter.

“Nga një djalosh i vogël që e shkelmoi topin në kopshtin e shtëpisë në kapiten të Arsenalit tim të dashur dhe në përfaqësimin e vendit tim në Kupën e Botës. E kam përmbushur ëndrrën time”.

Para se të nënshkruante me AGF-në në shkurt, Wilshere i kishte zhvilluar vetëm 36 ndeshje që prej se ishte larguar nga Arsenali më 2018.

Lëndimet e mëdha dhe të shpeshta ia dëmtuam shumë karrierën. Ai ishte pa klub për një kohë gjatë sezonit 2020/21.

“Në të vërtetë, ka qenë e vështirë ta pranoj faktin se karriera ime nisi të shuhej kohëve të fundit për shkak të arsyeve që nuk mund t’i kontrolloja, derisa ndieja se ende kisha shumë për të dhënë”, shkroi ai.

“Për shkak se kam luajtur në nivelin më të lartë, gjithmonë kam pasur ambicie të tilla në lojën e futbollit dhe të jem i sinqertë nuk e kam parashikuar se do të isha në këtë pozitë”.

Ai shtoi: “Megjithatë, pasi pata kohë për të menduar dhe për të biseduar me njerëzit e mi më të afërt, e di që tani është koha e duhur dhe përkundër çasteve të vështira, karrierën time e shoh me krenari të madhe për atë që e kam arritur”.

Lajme të ngjashme