Zyrtare: Ilir Daja trajner i Ballkanit deri në vitin 2026
Kampioni i Kosovës, Ballkani, ka vazhduar bashkëpunimin me trajnerin Ilir Daja, edhe për dy vite të tjera.
Klubi suharekas doli me postim në rrjetet sociale për të njoftuar për marrëveshjen e re, e cila vjen pas raportimeve të shumta këto ditë se trajneri shqiptar është rrugës të shkarkohet.
Komunikata e FC Ballkanit
Ne ia kemi besuar dirigjencën e “simfonisë” tonë. Ai me “orkestren” e tij, kompozoi perla të pavdekshme, të cilat tashmë janë gdhendur në partiturat e historisë. Ne i kemi besuar të na prijë betejave. Ai me “kalorësit” e tij, ngriti fronin e lavdisë! Andaj ai padyshim që mbetet njëri prej nesh 🧡🖤 Zonja dhe zotrinjë, tifozë të kampionit të Kosovës, me kënaqësinë më të madhe ju njoftojmë se me maestron e fushës së blertë, me profesorin e nderuar, Ilir Daja, kemi vazhduar deri në vitin 2026. Bashkë kemi nisur t’i shkruajmë faqet e historisë së futbollit tonë, bashkë do t’i vazhdojmë! Na priftë e mbara!
Kujtojmë se Ilir Daja u bë trajneri i parë që dërgoi një skuadër kosovare në grupe të një gare evropiane, ku me Ballkanin mori pjesë në dy vite radhazi.
Ai është shpallur kampion me skuadrën nga Suhareka në dy sezonet e fundit, dhe në këtë sezon gjendet në vendin e parë, ndonëse vetëm një pikë larg vendit të dytë, Llapit.
Ballkani nuk ka pasur formën më të mirë të mundshme kohët e fundit, duke lëshuar shumë pikë.
Kampioni në fuqi ka mundësi të kthehet te fitoret, me ndeshjen e ardhshme që është paraparë të zhvillohet më 2 mars kundër Dukagjinit në udhëtim.