Zyrtare: Eriksen i bashkohet Manchester Unitedit - NACIONALE

Zyrtare: Eriksen i bashkohet Manchester Unitedit

4 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Christian Eriksen ka kompletuar kalimin e tij te Manchester United si lojtar i lirë, me Erik ten Hag që po vazhdon ta rrisë skuadrën në aspektin e cilësisë për sezonin 2022/23.

Lëvizja e mesfushorit të Danimarkës vjen kur kanë kaluar një vit nga arresti kardiak që pësoi në Kampionatin Evropian 2020.

Eriksen u lirua nga Interi pasi në Serie A nuk mund të luajnë lojtarët që kanë pajisje për kontrollimin e të rrahurave të zemrës. Ai u lidh menjëherë me skuadrën e Premierligës, Brentford, me një kontratë afatshkurtër gjashtëmujore.

Çka dihet për kontratën e Eriksenit me Manchester United?

30-vjeçari i bashkohet djajve të kuq si lojtar i lirë, pasi që nuk u arrit marrëveshja për vazhdimin e qëndrimit në Brentford.

Mesfushori danez ka nënshkruar kontratë trevjeçare me të kuqtë e Manchesterit, marrëveshje kjo që e mbanë të lidhur me klubin deri në vitin 2025.

Pse e dëshironte Manchester Unitedi, Eriksenin, me ngulm?

United bëri lëvizjen e saj me të parë që Eriksen po kthehet në formën e dikurshme, duke pasur paraqitje të mira në kampionatin anglez.

Pavarësisht se nuk pati minuta të shumtë në këmbët e tij në dy vitet e fundit me kalimin e tij nga Tottenham Hotspur në Inter, danezi u kthye në Premierligë sikur të mos largohej kurrë.

Ai regjistroi një gol dhe katër asiste në 11 paraqitje përgjatë kontratës gjashtëmujore me Brentfordin, duke ndihmuar skuadrën të qëndronte larg nga zona e rrezikshme për rënien nga elita. Ai gjithashtu u ftua sërish nga Kombëtarja daneze, pas mungesës së gjatë që erdhi si shkak i arrestit kardiak.

Me aftësitë e tija të cilat janë vënë në dyshim kohë pas kohe dhe me frikën që fitnesin nuk e ka në nivelin e duhur, djajtë e kuq nuk hezituan asnjëherë të interesoheshin për lojtarin.

Ku do të luaj Eriksen nën urdhrat e Erik ten Hag?

Trajneri holandez është gati të kompletojë skuadrën për sezonin e ri, pasi zuri vendin e të larguarit, Ralf Rangnick.

Me humbjen e Paul Pogbas, Nemnja Matic, Jesse Lingard dhe Juan Mata, vendi për Eriksen të luaj në mesfushë është i gatshëm.

Ai do të ketë konkurrencën e Bruno Fernandes, Fred, McTominay dhe De Jongut që me shumë gjasë do të vijë në ditët në vazhdim.

Manchester United, përveç Eriksenit dhe De Jongut, është duke punuar dhe gati se ka siguruar shërbimet për mbrojtësin argjentinas, Lisandro Martinez, ku fituan garën me Arsenalin.

Lajme të ngjashme