Zyrtare: Chelsea e blen Christopher Nkunkun nga RB Leipzig për 62 milionë euro
Chelsea ka njoftuar se ka nënshkruar me sulmuesin e RB Leipzig, Christopher Nkunku.
Përfaqësuesi i Francës është blerja e radhës e shtrenjtë e klubit të Premierligës, pasi i kushtoi hiç më pak se 62 milionë euro.
Nkunku kishte arritur marrëveshje me Chelsean qysh në dhjetor, por klubi londinez u detyrua të priste deri në përfundim të këtij sezoni për ta aktivizuar klauzolën e lirimit të tij.
Ai ka nënshkruar marrëveshje afatgjate, deri në vitin 2029, duke i dhënë fund qëndrimit katërvjeçar në Leipzig.
25-vjeçari shprehu gëzimin që i është bashkuar Chelseat.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur që po i bashkohem Chelseat. U bënë përpjekje të mëdha për të më sjell mua në klub dhe unë mezi pres t’i takoj trajnerin dhe bashkëlojtarët e mi të ri, si dhe t’u tregoj përkrahësve të Chelseat se çfarë mund të bëj në fushë”, tha Nkunku për faqen zyrtare të Chelseat.
Ai shtoi: “Pasi kam luajtur në Ligue 1 dhe në Bundesligë, tani dua të luaj në Premierligë, në njërën prej ligave më të forta në botë. Jam shumë i ngazëllyer për këtë sfidë dhe do ta vesh me krenari fanellën e Chelseat”.
It's confirmed. 😁
— Chelsea FC (@ChelseaFC) June 20, 2023