Zyrtare: Bernd Leno kompleton transferimin te Fulham
Bernd Leno i ka dhënë fund aventurës tek Arsenal. Ai do të vijojë të qëndrojë në Londër, vetëm se kësaj radhe do të luajë për Fulham.
Ashtu siç u raportua gjatë orëve të sotme të mbrëmjes, Leno ka gjetur marrëveshje të plotë me Fulhamin.
Introducing… 🥁
— Fulham Football Club (@FulhamFC) August 2, 2022
… Our latest addition! 🇩🇪#SPLENDID | #FFC pic.twitter.com/kLMUhcSvhU
Tek Arsenal nuk shkoi gjithçka sipas planeve, pasi ardhja e portierit anglez Ramsdale nga Sheffield United para një viti, ka ndikuar shumë që Leno të ndihej "mish i huaj" tek Arsenal, meqë filloi ta humbiste edhe pozitën e titullarit.
I ndodhur në të tilla rrethana, ai ka preferuar që ta gjejë një skuadër të re, ku do të mund që të vijojë të mbetet në një kampionat maksimalisht të fortë, siç është Premierliga.
Sa i ka kushtuar Fulhamit blerja e kartonit të Leno?
Nëse i referohemi të dhënave të mëhershme që janë publikuar në mediet britanike, atëherë Arsenal nuk do të përfitojë as gjysmën e parave që kishte shpenzuar për portierin 30-vjeç.
A model professional. A credit to The Arsenal.
— Arsenal (@Arsenal) August 2, 2022
Thank you for everything and good luck, Bernd ❤️
Gjithsesi, sipas burimeve të gazetarit David Ornstein nga mediumi The Athletic, Fulham do t'i paguajë 9,6 milionë euro, nëse do të arrihen të gjitha bonuset e përfshira në kontratë.
Bonuset në fjalë kanë të bëjnë qoftë me numrin e paraqitjeve në Premierligë apo edhe me mbijetesën në këtë kampionat të vetë Fulhamit.
Tre vjet kontratë me Fulham
Portieri gjerman ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2025, me mundësi të vazhdimit edhe për një sezon tjetër, nëse palet do të ndahen të kënaqur deri atëherë me njëra-tjetrën.
Ky është investim i tretë me rëndësi që ka bërë Fulham në këtë treg të lojtarëve. Më herët klubi londinez ka zyrtarizuar afrimin e Pereira nga Manchester United për 9,5 milionë euro, kurse Palhinha nga Sporting Lisbon është transferi më i shtrenjtë deri më tani. Mesfushori 26-vjeç portugez ka kushtuar plot 20 milionë euro.
Sido që të jetë, Fulham nuk ka gjetur rehati gjatë viteve të fundit, me rënie dhe rikthime në Premierligë të përvjetshme. Me angazhimin e Leno dhe të futbollistëve të tjerë, synohet që të ruhet një ekuilibër, për t'u konfirmuar si një klub që mund të aspirojë për të mbetur në mesin e 20 skuadrave më cilësore në Angli.


