Zyrtare: Ballkani nënshkruan me Yoan Marc-Olivier, pas largimit të Ermal Krasniqit
Ballkani ka nënshkruar marrëveshje me sulmuesin e Malishevës, Yoan Marc-Olivier, i cili i bashkohet kampionit të Kosovës për ta mbuluar boshllëkun e lënë nga largimi i Ermal Krasniqit.
Sulmuesi anglez Marc-Olivier, 22 vjeç, nënshkroi marrëveshje dyvjeçare me Ballkanin, njoftoi klubi nga Suhareka të hënën.
“𝗙𝗖 𝗕𝗮𝗹𝗹𝗸𝗮𝗻𝗶 njofton se sulmuesi 𝗬𝗼𝗮𝗻 𝗠𝗮𝗿𝗰-𝗢𝗹𝗶𝘃𝗶𝗲𝗿 është zyrtarisht futbollist i skuadrës sonë”, njoftoi Ballkani.
“Klubi ynë i uron mirëseardhje dhe shumë suksese me fanellën e skuadrës sonë. Mirë se vjen 𝗢𝗹𝗶𝘃𝗶𝗲𝗿”.
Me Olivierin – i cili e shënoi vetëm një gol dhe i dhuroi dy asiste në gjashtë paraqitje në Superligë në pjesën e parë të këtij sezoni, trajneri Ilir Daja synon ta zëvendësojë Ermal Krasniqin, të cilin Ballkani e shiti te Cluj gjatë këtij muaji.
Olivier i shënoi pesë gola dhe i dhuroi gjashtë asiste ne 23 paraqitje në Superligë sezonin e kaluar.
Anglezi do të ketë shumë punë për ta zëvendësuar Krasniqin në sulmin e Ballkanit.
Krasniqi i kishte shënuar 16 gola dhe i kishte dhuruar tri asiste në 33 ndeshje në Superligë sezonin e kaluar.
Këtë sezon, para se t’i bashkohej klubit rumun, kosovari i shënoi gjashtë gola në 17 ndeshje për kampionin e Kosovës.