Zyra e presidentit të Ukrainës kritikon FIFA-n, mesazhi i Zelenskyt për paqe nuk u shfaq në Kupë të Botës
Zyra presidenciale e Ukrainës po kritikon FIFA-n për refuzimin e shfaqjes së një video-mesazhi nga presidenti Volodymyr Zelensky në stadiumin Lusail të Katarit përpara finales së Kupës së Botës të dielën.
Videoja, e cila është regjistruar në anglisht, ka për qëllim të jetë një thirrje për paqe, tha zyra presidenciale e Ukrainës në një deklaratë me shkrim për CNN të shtunën.
“Katari mbështeti iniciativën e Presidentit, por FIFA e bllokoi iniciativën dhe nuk do të lejojë që video e presidentit të shfaqet para ndeshjes finale”, thuhet në deklaratë.
Zyra presidenciale e Ukrainës tha gjithashtu se do ta shpërndajë videon në mënyrë të pavarur nëse FIFA nuk e transmeton atë dhe tha se vendimi i tyre për ta bllokuar do të tregonte se "FIFA ka humbur kuptimin e saj të vlefshëm për futbollin - si një lojë që bashkon popujt, në vend që të mbështesë ndarjet ekzistuese.”
CNN u mundua të kontaktonte FIFA-n, por deri tani nuk ka marrë një koment. Organi qeverisës i futbollit botëror ka bërë përpjekje ekstreme për të mbajtur mesazhet politike jashtë turneut të saj në Katar, vendi i parë i Lindjes së Mesme që organizoi ndonjëherë këtë ngjarje.
Katari nuk e ka komentuar publikisht kërkesën nga Ukraina.
CNN raportoi për herë të parë mbi historinë të premten, kur një burim brenda zyrës së Zelensky tha se kërkesa për të dhënë mesazhin e paqes botërore para fillimit të ndeshjes ishte hedhur poshtë.
Të shtunën, CNN mori një video kopje të fjalimit të regjistruar paraprakisht të Zelenskyt.
Në video, Zelensky thotë se futbolli ka për qëllim të bashkojë botën dhe bën thirrje për "Kupën e Botës, por jo luftën botërore".
“Ky Botëror vërtetoi sërish se vende dhe kombësi të ndryshme mund të vendosin se kush është më i forti në lojën e ndershme, por jo në lojën me zjarr, në fushën e gjelbër dhe jo në fushën e kuqe të betejës”, thotë presidenti i Ukrainës në video.
Zelensky ndër të tjera thotë se në luftë nuk ka kampion, e as barazim nuk mund të ketë.
"Ne i ofruam botës Formulën e Paqes. Absolutisht e drejtë. E kemi ofruar sepse nuk ka kampionë në luftë, nuk mund të ketë barazim."
Zyra presidenciale e Ukrainës tha për CNN se ata ishin të informuar se FIFA e konsideronte mesazhin si shumë politik dhe thanë se kishin dërguar një kopje të tekstit të adresës në selinë e FIFA-s në Zvicër të premten.
"Nuk ka asgjë politike në apelin e presidentit që i jep ngjyrë politike ngjarjes sportive, domethënë, nuk ka vlerësime subjektive, sinjale politike dhe aq më tepër nuk ka akuza," tha zyra presidenciale, duke shtuar se "ka ende kohë për FIFA-n të korrigjojë gabimin e tyre.”
“FIFA nuk duhet të ketë frikë se fjalët e paqes do të dëgjohen në festën globale të futbollit që përfaqëson paqen”, thuhet në deklaratë.