Zvicra ua ndalon lojtarëve të vet shqiptarë festimin me shqiponjë, pas bisedimeve me Serbinë - NACIONALE

Zvicra ua ndalon lojtarëve të vet shqiptarë festimin me shqiponjë, pas bisedimeve me Serbinë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Federata e Futbollit e Zvicrës (FFZ) ka bërë të ditur se futbollistët e ekipit të vet kombëtar e kanë të ndaluar të festojnë duke e bërë shqiponjën dykrenore, e cila është simbol në flamurin shqiptar, pas ankesave të Serbisë.

Kjo vjen pas kaosit që Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka - futbollistët me prejardhje nga Kosova - shkaktuan kur i festuan golat duke e bërë shqiponjën dykrenore në fitoren e Zvicrës 2:1 kundër Serbisë në Kupën e Botës 2018 në Rusi.

Zvicra dhe Serbia janë përsëri në një grup në Kupën e Botës 2022 në Katar dhe për t’u siguruar që një gjë e tillë nuk do të ndodhë gjatë dhjetorit të këtij viti, Federata Zvicerane ka vendosur që t’ua ndalojë lojtarëve të vet shqiptarë përsëritjen e një festimi të tillë.

Lajmi është konfirmuar nga Pierluigi Tami, drejtori i FFZ-së, i cili tha se festa me shqiponje nuk mund të shihet në përballjen e 2 dhjetorit mes Zvicrës dhe Serbisë në Katar.

Zvicra është pjesë e Grupit G, bashkë me Serbinë, Brazilin dhe Kamerunin.

Takimi i zviceranëve me autoritetet serbe

Në maj të këtij viti, presidenti i federatës zvicerane Dominique Blanc dhe sekretari i përgjithshëm Robert Breiter ishin takuar me homologët e tyre nga Federata e Futbollit të Serbisë, sipas gazetës Blick.ch.

Gjatë bisedës, serbët kishin këmbëngulur se janë të interesuar vetëm për futboll në përballjen e dhjetorit. Por nuk mund të dihet nëse politikanët dhe tifozët do t’i përmbahen kësaj. Duhet kujtuar se tifozët serbë e kishin fyer Xherdan Shaqirin gjatë ndeshjes së Botërorit 2018.

Ndërkohë, Tami i ka siguruar serbët se lojtarët e Zvicrës nuk do ta përsërisin, siç e quajti ai, gabimin e njëjtë.

“Ne nuk duam ta bëjmë gabimin e njëjtë përsëri. Ne jemi këtu për të luajtur futboll dhe asgjë tjetër. Ne nuk duam të dërgojmë mesazhe politike apo fetare”, ka thënë Tami.

Tami ishte i qartë sa i përket festimit me shqiponjën dykrenore, duke thënë: “Nuk duhet të ketë as fjalë e as gjeste që provokojnë të tjerët. Kur festojmë, e bëjmë për ta shprehur gëzimin, kjo është me rëndësi. Nuk kemi pse të jemi provokues”.

Lajme të ngjashme