Zlatani nuk plaket | Ibrahimovic bëhet golashënuesi më i vjetër i Serie A-së
Sulmuesi veteran, Zlatan Ibrahimovic, është bërë golashënuesi më i vjetër në historinë e Serie A-së, me golin e shënuar në humbjen e Milanit ndaj Udinesës gjatë kësaj mbrëmje.
Reprezentuesi suedez me prejardhje boshnjake konvertoi në gol një penallti në minutat shtesë të pjesës së parë, për të barazuar përkohësisht rezultatin në 1:1. Në moshën 41-vjeçare e 166 ditë, ai ka kaluar legjendën, Alessandro Costacurta, i cili mbante rekordin me golin e shënuar gjithashtu për Milanin.

Goli kundër Udinesës ishte i pari për të në këtë sezon të Serie A-së. Deri më tani ai kishte bërë vetëm tri paraqitje para kësaj ndeshje, pasi kishte munguar gjatë pjesës më të madhe të sezonit pas një dëmtimi në gjurin e tij. Pavarësisht golit të tij, Milani humbi me rezultat 3:1 ndaj Udinesës dhe rrezikon pozitën e katërt në renditje, pasi Roma zhvillon ndeshjen derbi nesër ndaj Lazios.
Milani nuk do të ketë ndeshje për të zhvilluar deri më 2 prill, kur do të takohet me liderin e kampionatit, Napolin, teksa me të njëjtin kundërshtar do të përballet edhe në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, por një herë do të jetë pushimi, me kombëtarët që luajnë përgjatë dy javëve të ardhshme.

