‘Zhgënjen’ Drita me humbje ndaj Ferizajt, Malisheva ‘e fundos’ Drenicën - NACIONALE

‘Zhgënjen’ Drita me humbje ndaj Ferizajt, Malisheva ‘e fundos’ Drenicën

3 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Superliga e Kosovës ka vazhduar me javën e 22-të, ku në dy ndeshjet e zhvilluara pati jo pak befasi. Drita u mposht në udhëtim te Ferizaj me rezultat 2:1, ndërsa Malisheva e zhyti edhe me më shumë në krizë Drenicën, duke e mposhtur 3:1.

Ferizaj edhe pse deri tani ishte skuadra e fundit në tabelë, i shkaktoi shumë vështirësi gjilanasve, madje e fitoi ndeshjen me rikthim, ndërsa Malisheva u tregua dominuese ndaj Drenicës, për t’u larguar përkohësisht nga zona e rrezikshme.

Ferizaj – Drita

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin me bari sintetik në Ferizaj, prodhoi befasinë e javës. Aty ku askush nuk e priti fitoren e Ferizajt, Drita ia dhuroi me duart e saj.

May be an image of 8 people, people playing football, people standing and grass

Pjesa e parë e takimit përfundoi pa asnjë gol të shënuar, ndërsa në të dytën u shënuan tre gola.

Fillimisht Drita kaloi në epërsi në minutën e 54-të me anë të golit të Kastriot Selmanit.

Vetëm tre minuta më pas, saktësisht në minutën e 57-të, Ergon Hyseni, realizoi për të barazuar shifrat në 1:1.

Drita zhvilloi ndeshje më të mirë në vazhdim, por nuk arriti të shënonte, ndërsa sulmuesi veteran, Betim Haxhimusa e dënoi ish-skuadrën e tij, duke shënuar për Ferizajn golin e fitores në minutën e 85-të për 2:1.

Me këtë fitore, Ferizaj lëviz nga pozita e fundit në atë të parafundit, ndërsa Drita mbetët në pozitën e dytë.

Malisheva – Drenica

Në Liman Gega të Malishevës ndodhi ajo që pritej. Një Drenicë me shumë probleme, nuk arriti t’i bënte ballë malishevasve, dhe kështu me humbjen e pësuar 3:1, ata fundosën në pozitën e fundit në tabelë.

Malisheva e nisi furishëm ndeshjen, duke shënuar vetëm 12 minuta pasi filloi takimi me anë të Ronald Sobowale, pas asistimit të Behar Maliqit.

Skuadra nga Skenderaj arriti ta barazonte rezultatin në pjesën e parë me anë të Armend Abazit në minutën e 35-të, por kaq ishin mundësitë e tyre në këtë ndeshje.

Pak minuta para se të mbyllej pjesa e parë, Malisheva kaloi sërish në epërsi, realizator ishte Drilon Hazrollaj me një gol të jashtëzakonshëm nga gjuajtja e lirë.

Në minutën e 66-të, Malisheva dyfisho epërsinë, duke çuar rezultatin në 3:1 me anë të golit të Adem Maliqit.

Me këtë rezultat përfundoi takimi dhe Malisheva tani përkohësisht largohet nga zona e rrezikshme, ndërsa Drenica kalon në pozitën e fundit.

Lajme të ngjashme