Zgjerohet skandali në futbollin italian, në shënjestër të prokurorisë janë edhe tre klube tjera të Serie A
Hetimet për skandalin e suficiteve financiare artificiale të Juventusit kanë arritur në fazën më të nxehtë. Sipas medieve të afërta me hetimet që po bëhen, janë edhe tre klube të Serie A që po dyshohen se janë të inkreminuara.
Më 20 janar drejtuesit e Juventusit do të paraqiten para drejtësisë për të gjitha akuzat që rëndohen mbi ta. Një lëndë që në fillim të vitit u shfuqizua, por që tani është rikthyer në rishqyrtim, me theks të veçantë pas të gjeturave të reja nga Prokuroria e Torinos.
Sipas numrit të sotëm të “Gazzetta Dello Sport”, që si e përditshme ka qenë prej ditës së parë e afërt me më të rejat rreth këtij procesi, prokurorët kanë dyshime të mëdha edhe për tre klube tjera të Serie A që janë përfshirë në të tilla pazare.

Fjala është për Atalanta, Sassuolo dhe Udinese. Ky dyshim përforcohet edhe më shumë nga fakti se Juventus kishte shkëmbyer një seri lojtarësh për të krijuar një suficit financiar artificial, me qëllim që ta rregullonte disi bilancin vjetor, i cili është në tatëpjetzën e tij më të errët.
Për momentin nuk ka bazë ligjore që t’i ngritët një aktakuzë edhe klubeve në fjalë, por një gjë e tillë nuk mund të përjashtohet si skenar gjatë ditëve apo javëve në vijim, nëse procesi hetimor do të evoluojë deri në atë shkallë.
Përveç Juventusit, ashtu siç dihet klubet tjera që rrezikojnë penalizime janë edhe Sampdoria, Empoli, Genoa, Parma, Pisa, Pescara, Pro Vercelli dhe Novara.
Deri tani ajo që rrezikojnë këto klube është penalizimi me pikë në renditjen tabelore. Një skenar i tillë nuk përjashtohet të tillë edhe gjatë kampionatit në vijim.
