“Dridhet” Juventusi, i caktohet seanca e parë gjyqësore nga Prokuroria pas dosjes të përbërë me 14 mijë faqe
Prokuroria që operon në kuadër të Federatës Italiane të Futbollit (FIGC) ka caktuar seancën e parë gjyqësore ndaj Juventusit. Ajo do të mbahet më 20 janar. Në llupën e prokurorëve italianë janë edhe tetë klube tjera.
Qëkur Prokuroria e Torinos gjatë muajit shtator e ka rihapur çështjen e bilanceve të rrejshme të deklaruara nga Juventus dhe disa klube tjera, gjërat kanë filluar të lëvizin edhe në federatën italiane (FIGC).
Zyra e Prokurorisë pranë FIGC gjithashtu ka vendosur që ta rikthejë në rigjykim skandalin në fjalë, pasi në fillimin e vitit i kishte shpallur të pafajshëm të gjithë të pandehurit. Një ndryshim i tillë vjen me arsyen se nga Prokuroria e Torinos kanë ardhur prova të reja, që inkriminojnë zyrtarë e klube të ndryshme, e posaçërisht Juventusin.
Kështu që, ajo e ka caktuar seancën e parë gjyqësore ndaj zyrtarëve të “Zonjës së Vjetër”. Ata do të dalin para drejtësisë për të dhënë sqarime shtesë më 20 janar.

Sipas shtypit italian, kemi të bëjmë me një dosje të vëllimshme, që përbëhet me plot 14 mijë faqe, e ku theksohet qartazi, si vijon: “Ekzistojnë numër i madh i detajeve shtesë dhe i elementeve të rënda.”
Arsyeja pse është caktuar një datë e tillë qysh në janar ka të bëjë edhe me faktin se nuk përjashtohet mundësia që sanksionet dhe penalizimet eventualisht të merren edhe gjatë kampionatit në vazhdim.
Ndërkohë Juventusi
ka shprehur edhe një herë qëndrimin e vet se ndihet i pafajshëm dhe se do të bashkëpunojë me instancat ligjore, për të dëshmuar se ka operuar në kuadër të ligjit.
"Libri i zi"
Nga dosja e vëllimshme që posedon Prokuroria e FIGC, pasi është këshilluar edhe me të gjeturat e Prokurorisë së Torinos, figuron një “libër i zi”.
Personi që akuzohet se ka qenë ai që ka drejtuar një plan të jashtëligjshëm është drejtori ekzekutiv i Tottenhamit, Fabio Paratici, i cili deri para dy vitesh ishte edhe njëri nga drejtuesit e klubit torinez.
Në përgjime është dëgjuar Cherubini, drejtor i sotëm i Juventusit, teksa ka folur në lidhje me atë “libër të zi”, ku kanë qenë të ruajtura dhe të nënvizuara të gjitha transferimet që kanë pasur si objektiv arritjen e një suficiti financiar artificial.

Një mori transferimesh janë bërë me të vetmin qëllim për ta rregulluar sa më shumë bilancin vjetor, i cili nga viti 2017 filloi një tatëpjetë të frikshme, e që më pas kulmoi me fillimin e pandemisë Covid-19.
Kjo problematikë e fundit shkaktoi një tjetër telashe, atë të pagesës së lojtarëve. Mbi Juventusin njashtu rëndojnë akuza se ka bërë marrëveshje të fshehtë me lojtarët për t’ua dhënë pagat e mbetura në formë jo të ligjshme.
Gjithsesi, së bashku me Juventusin, në orbitën e klubeve të akuzuara për çështje të njëjta që kanë të bëjnë me shkëmbimet e ndryshme të lojtarëve për të krijuar suficit financiar artificial, janë edhe Empoli, Sampdoria, Genoa, Parma, Pisa, Pro Vercelli, Pescara dhe Novara.
Në tërësi janë 52 drejtorë sportivë që për momentin po i trembën kësaj vale të hetimeve, pasi dyshohen se kanë krijuar një rrjet të tërë që ka operuar në një hije të errët.

