Zëvendëskryeministri italian: E çuditshme si u dënua veç Juventusi, disa gjëra nuk bëhen të vetëm
Zëvendëskryeministri italian, Matteo Salvini, është prononcuar në lidhje me penalizimin e Juventusit prej -15 pikëve në renditje tabelore. Fakti që vetëm Juventus është dënuar për të përbën një habi të madhe.
Matteo Salvini, aktualisht ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, si dhe zëvendëskryeministër në Qeverinë Meloni – ka komentuar temën më të ndjeshme në sportin italian të kësaj periudhe të fundit: hetimet e gjyqësorit sportiv mbi disa shkelje që ka bërë Juventusi.
Në një prononcim që dha gjatë pasditës së vonë, Savini, i cili njihet si tifoz i flakët i Milanit, u shpreh shumë i habitur në lidhje me verdiktin e kumtuar nga gjyqësori sportiv.
“Si tifoz milanist – edhe pse nuk jam mbrojtës i Juventusit – më është dukur e çuditshme që në një sistem ku duket se shumë - nëse jo të gjithë - kanë përdorur disa metoda, vetëm ndaj Juventusit u morën masa me ashpërsi të madhe”, tha ai.

Ai tregoi edhe afërsi me tifozët e Juventusit duke thënë se “nuk kanë të bëjnë asgjë me këto gjëra” dhe se “nëse dikush ka bërë shkelje është e drejtë që ta paguajë çmimin”.
Sidoqoftë, politikani kontrovers italian theksoi se disa gjëra nuk bëhen të vetëm: “Nëse të akuzojnë për fryerje të kartonëve të lojtarëve dhe mashtrim të tyre, për ta bërë një gjë të tilë duhet të jenë dy palë të përfshira. Dhe, nëse e dënojnë vetëm njërin klub, atëherë mund të jetë që edhe sistemit i shkakton bezdi Juventusi.”
“Zonja e Vjetër” para pak ditësh ka paralajmëruar se ka paraqitur ankesën e saj në lidhje me dënimin prej -15 pikëve në renditje tabelore.
Sipas medieve italiane skenari i zbutjes së dënimit është shumë vështirë që të ndodhë. Kujtojmë se ishin disa klube që u hetuan, por vetëm Juventus u shpall fajtor.
