Zekirija Ramadani thyen heshtjen, tregon a do të marrë drejtimin e Gjilanit
Zekirija Ramadani ka thënë se nuk është kontaktuar nga Gjilani për postin e trajnerit, duke këmbëngulur se është i përqendruar në synimet e skuadrës së vet Egnatia, pas thashethemeve se ai mund ta zëvendësojë Ismet Munishin e shkarkuar në klubin kuqebardh.
Gjilani e shkarkoi Munishin të hënë, një ditë pas disfatës tronditëse kundër Dukagjinit dhe vetëm gjashtë javë para përfundimit të sezonit në Superligë.
Ndihmëstrajneri Alban Hyseni do ta marrë drejtimin e skuadrës në ndeshjet e mbetura të këtij sezoni, por kjo s’i ndali thashethemet në media se Gjilani e ka kontaktuar Zekirija Ramadanin.
Disa media në vend raportuan se, Ramadani, trajneri i cili e fitoi tri herë Superligën e Kosovës me Trepçën ’89, Feronikelin dhe Prishtinën, do drejtojë klubin gjilanas nga edicioni i ardhshëm.
Sidoqoftë, Ramadani ka thënë për Gazetën Nacionale se deri me tani nuk ka pasur asnjë kontakt me Gjilanin dhe se këto ‘spekulime’ i ka parë nëpër mediat lokale.
“I pashë lajmet në disa portale, kam pasur disa telefonata nga gazetarët, por fokusimi im është te Egnatia.”
“Unë jam plotësisht i fokusuar te Egnatia, ngase ende nuk e kemi siguruar mbijetesën.”
I pyetur nëse do ishte i hapur për një rikthim të katërt në Superligën e Kosovës, Ramadani tregojë se fillimisht Gjilani duhet të hap negociatat.
“Çfarë të them, nuk mund të them se ‘jam i hapur’, se ndoshta ata s’më marrin.”
Egnatia është në zonën e rënies nga Superliga e Shqipërisë, pasi mbledh 34 pikë në vendin e tetë, dy më pak se zona e shpëtimit.
Ndërkohë, Gjilani renditet në pozitën e tretë në tabelë me 55 pikë, nëntë më pak se lideri, Ballkani, derisa kanë mbetur edhe gjashtë xhiro deri në përfundimin e edicionit.