Zanetti: Duam të shmangim Real Madridin
Zëvendës-presidenti dhe legjenda e Interit, Javier Zanetti, është shprehur pas kualifikimit të skuadrës së tij në finale të Ligës së Kampionëve, duke thënë se në finale dëshirojnë ta shmangin Real Madridin, pasi sipas tij kjo garë është bërë për ta.
Interi mposhti Milanin me rezultat të përgjithshëm 3:0 nga dy ndeshjet, për të siguruar kështu finalen e parë të Ligës së Kampionëve pas 13 viteve.
Zanetti për Sky Italia pas ndeshjes tha: “Është një emocion i madh. Ky grup e meritoi të luajë në finale të Ligës së Kampionëve për herë të parë pas 13 viteve. Tani ne jemi në pritje për të mësuar kundërshtarin, por mënyra se si ky grup lojtarësh ka bërë punën është shumë e rëndësishme, në çfarëdo rasti.”
Kur u pyet se kë preferon për kundërshtar, legjenda e zikaltërve preferoi që skuadra e tij ta shmangë Real Madridin.
“Do të doja të shmangnim Real Madridin, sepse kjo garë duket se është bërë për ta. Por më e rëndësishmja është që ne arritën finalen, ishte një rrugë shumë e vështirë.”
Kundërshtari i Interit do të mësohet nesër, kur në gjysmëfinalen tjetër Manchester City e pret Real Madridin në ndeshjen e kthimit, pas barazimit 1:1 në ndeshjen e parë.

