Interi e mposht bindshëm Milanin për të kaluar në finale të Ligës së Kampionëve pas 13 viteve - NACIONALE

Interi e mposht bindshëm Milanin për të kaluar në finale të Ligës së Kampionëve pas 13 viteve

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Interi është finalisti i parë i Ligës së Kampionëve. Zikaltrit triumfuan edhe në ndeshjen e dytë ndaj rivalit të qytetit, Milanit, për ta çuar në 3:0 rezultatin e përgjithshëm nga të dy takimet. Kjo fitore për skuadrën e Simone Inzaghit do të thotë shumë, pasi arrijnë në finale për herë të parë pas 13 viteve.

Sa i përket takimit, Milani kishte dominimin në posedim të topit, por nuk dukej se nuk e kishte forcën e duhur për të përmbysur rezultatin nga ndeshja e parë, që ishte 2:0.

Pjesa e parë e takimit ishte më e mirë për nga krijimi i rasteve, ku dy skuadrat rrezikuan, me portierët respektiv që bënë punën në mënyrë të shkëlqyeshme për të shpëtuar skuadrat e tyre nga pësimi i golit.

Edhe pse pati më shumë raste, 45 minutat e para përfunduan pa gola, ndërsa në pjesën e dytë u shënua i vetmi gol i takimit, që shoi shpresat e Milanit, për një përmbysje të rezultatit.

Goli i fitores së sotme erdhi në minutën e 74-të, kur pas një tollovie në zonën e Milanit, përfituan Lukaku e Martinez, që me kombinime të mira erdhën deri te goli, me këtë të fundit që shënoi në këndin e poshtëm të portierit për 1:0.

Lautaro tentoi edhe një herë pas golit për të shënuar, por Maignan priti bukur për të evituar edhe golin e dytë.

Kështu pas 180 minutave lojë, Interi me rezultat 3:0 e mposht Milanin, për të siguruar finalen e 10 qershorit në Stamboll.

Finalisti tjetër do të mësohet nesër, me Manchester Cityn që e pret Real Madridin në ndeshjen e kthimit, pas ndeshjes së parë që përfundoi barazim 1:1.

Lajme të ngjashme