Ylli i Romës thotë se kishte problem të flinte natën për shkak të paraqitjeve të dobëta
Sulmuesi i Romës, Tammy Abraham, është në qendër të kritikave për paraqitjet e zbehta në këtë sezon. Ai thotë se ato kanë ndikuar që natën të mos ta zërë gjumi.
Roma njihet si njëri prej qyteteve që ngërthen klimën më mosduruese në raport me futbollin. Këtë po e nuhat edhe vetë sulmuesi anglez, Tammy Abraham, që po vuan nga presioni i madh që po i bëhet për shkak të moskonkretizimit të rasteve me gol në këtë edicion.
Ai thotë se gjithë kjo formë e zbehtë ka pasur efekte anësore tek ai, që lidhen “de facto” me shëndetin, duke thënë se insomnia i është shndërruar në pengesë.
“Para se të flas për ndeshjen e djeshme (kundër Sassuolos), dëshiroj t’u them diçka skuadrës, trajnerit, tifozëve dhe njerëzve në Romë. Vija nga një periudhë me shumë pak besim e shumë pak gola. Kisha vështirësi të flija për shkak të mënyrës se si isha duke luajtur”, tha ai.
Në katërmbëdhjetë (14) ndeshje sa ka luajtur në kampionat, Abraham ka shënuar vetëm tre (3) gola. Shumë pak në raport me pritjet që ka Mourinho, duke ditur që e ka dashur fort te Roma dhe se klubi ka paguar 40 milionë për ta pasur në radhët e veta.

Premtimi i Abraham
Tammy Abraham përmes një interviste dhënë për kanalin zyrtar të Romës dëshiroi t’u premtojë tifozëve të Romës dhe tërë ambientit që e rrethon atë – se do të japë maksimumin, edhe pse është i vetëdijshëm se deri tani nuk ka përformuar në shkallët e dëshiruara.
“E di që nuk luajtur në nivelet çfarë di të bëj. Ka qenë periudhë e vështirë për mua. Tekefundit, jam një njeri. Të gjithë e dinë çfarë mund të bëj dhe jap për skuadrën. Do të rikthehem në formë dhe do ta tregoj këtë gjë”, tregoi ai.
Dje Abraham u inkuadrua në minutën e 66-të të ndeshjes, pasi nga minuta e parë luajti Shomurodov. 25-vjeçari anglez tha ka bërë të pamundurën që të lënte gjurmë në ndeshje, duke u shfaqur tej mase i angazhuar në fushë.
“Keni mundur ta vëreni që kur hyra në lojë sa shumë isha energjik dhe i vendosur të luaja mirë. Është gjë e bukur të shënosh gol dhe ta ndihmosh skuadrën, veçanërisht kur nuk ke realizuar gol për shumë kohë në Serie A. Mirëpo, kështu e ka futbolli. Tani na duhet të japim një përgjigje në ndeshjen e ardhshme”, theksoi ai.

Tammy Abraham nuk do të jetë pjesë e Kombëtares së Anglisë në Kupën e Botës 2022, pasi përzgjedhësi Southgate nuk e futi atë në listën që publikoi sot.
Sulmuesi anglez do të ketë mundësi që të qëndrojë në ambientin stërvitor të klubit për t’u përpjekur kështu që ta rifitojë formën e dikurshme.

