Mourinho: U tradhtuam nga një lojtar i yni, e ftova të largohet që në janar - NACIONALE

Mourinho: U tradhtuam nga një lojtar i yni, e ftova të largohet që në janar

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Roma sot barazoi 1:1 kundër Sassuolos, edhe pse deri në minutat e fundit të lojës e kishte epërsinë në favorin e vet. Josè Mourinho është shfaqur i frustruar me rezultatin, duke ia hedhur fajin qasjes së një lojtari.

Mourinho nuk foli me kritika ndaj Ibanez, edhe pse ai ishte shkaktari kyç i humbjes së derbit lokal ndaj Lazios në fundjavë. Madje, vetë trajneri portugez e mbrojti lojtarin pas ndeshjes.

Mirëpo, të njëjtën qasje nuk e pati edhe sot, në barazimin që ekipi i tij e korri në Emilia-Romagna ndaj Sassuolos. Për këtë hap të radhës fals ai hodhi akuza të rënda mbi një lojtar.

“Më vjen keq, sepse i gjithë angazhimi i lojtarëve që luajtën si një grup u tradhtua nga një lojtar pasi pati një qasje joprofesionale. Nuk shkoj asnjëherë në zhveshtore për të thënë gjëra të tilla, por sot shkova menjëherë dhe ua thashë”, tha Mourinho.

Sidoqoftë, ai refuzoi të tregojë emrin e saktë se për kë bëhet fjalë: “Kam vendosur gjashtëmbëdhjetë (16) lojtarë në fushë. Nuk do t’ju tregoj se për kë po flas, por njëri na tradhtoi. E ftova që të largohet që në janar. Nuk e di se çfarë do të bëjë.”

Vështirësia e Romës për të shënuar gol

Në letër Roma ka një sulm të mirë që përbëhet prej lojtarëve solidë si Abraham, Zaniolo Dybala dhe Belotti. Mirëpo, faza sulmuese po has në vështirësi enorme për ta futur topin në rrjetë.

Edhe lëndimet nuk ndihmojnë në këtë aspekt. Ai i Dybalas po del të jetë domethënës. Vetë Mourinho e pranoi që skuadra po has në një mal pengesash për ta gjetur rrugën e golit.

“Kemi vështirësi për të shënuar gol. Gabimet janë pjesë e lojës, por një pikë jashtë shtëpisë është gjithmonë një rezultat pozitiv”, nënvizoi ai.

Njëri prej sulmuesve që është në krizën më të madhe është Abraham, që po kritikohet tej mase nga tifozët e Romës për mos të qenët efikas para portës.

“Nuk i vlerësoj paraqitjet vetëm në bazë të golave. Sot bëri paraqitje të mirë”, shpjegoi ai.

Trajneri i Romës u shpreh i lumtur në përgjithësi me qasjen e futbollistëve të tij, duke përjashtuar qasjen e “njërit” prej tyre, që refuzoi sërish t’ia cekë emrin.

“Jam i lumtur përgjithësisht me qasjen e lojtarëve. Tani na mungon për ta luajtur ndeshjen ndaj Torinos dhe do të shohim nëse do t’ia arrijmë që ta mbyllim këtë periudhë me tre pikë”, u shpreh ai.

Roma pas rezultatit të dytë negativ për momentin mban pozitën e 6-të me 26 pikë. Një fitore potenciale e Juventusit nesër në kampionat do të shënonte rënie të mëtejme të Romës në pozitën tabelore.

Lajme të ngjashme