"Na tradhtoi një lojtar i yni" – zbulohet se për kë e kishte fjalën Mourinho
Josè Mourinho pas përfundimit të ndeshjes kundër Sassuolos u shfaq i indinjuar, pasi skuadra barazoi 1:1, duke hedhur mbi “tradhtinë e një lojtari”, pa përmendur emër konkret. Megjithatë, mediet kanë filluar të gjurmojnë në këtë aspekt.
Ndeshja e dytë rresht që Roma bëri hap fals. Për dallim nga derbi kundër Lazios, kësaj radhe Mourinho nuk u përmbajt, duke akuzuar dikë prej 16 lojtarëve që aktivizoi në fushë, edhe pse nuk ia përmendi emrin.
Megjithatë, bazuar në indiciet e shtypit italian, të gjitha rrugët shpijnë te mbrojtësi Rick Karsdorp. Në fazën kritike të ndeshjes është analizuar se pozicionimi i mbrojtësit holandez ka qenë jo i duhuri, duke mos treguar vëmendjen e duhur.
Njashtu, gjatë tërë kohës Laurentiè shumë lehtë ka shmangur atë në krah, duke mos u mbuluar në formën e dëshiruar nga Mourinho.
Në një rast gjatë ndeshjes së sotme ishte edhe bashkëlojtari i tij, Cristante, ai që qortoi për mungesë të mbulimit efikas ndaj lojtarëve të Sassuolos kur rezultati ishte 0:0.
Vazhdimisht mbrojtësi i djathtë është kritikuar për paraqitje të dobëta. Ai asnjëherë nuk ka arritur që ta arsyetojë besimin e klubit dhe të trajnerëve që kanë stërvitur atë në këtë fazë kohore prej që është transferuar në ekipin kryeqytetas italian nga Feyenoord më 2020 për 16 milionë euro.
Cilat ishin akuzat e Mourinhos?
Mourinho nuk foli me kritika ndaj Ibanez, edhe pse ai ishte shkaktari kyç i humbjes së derbit lokal ndaj Lazios në fundjavë. Madje, vetë trajneri portugez e mbrojti lojtarin pas ndeshjes.
Mirëpo, të njëjtën qasje nuk e pati edhe sot, në barazimin që ekipi i tij e korri në Emilia-Romagna ndaj Sassuolos. Për këtë hap të radhës fals ai hodhi akuza të rënda mbi një lojtar.
“Më vjen keq, sepse i gjithë angazhimi i lojtarëve që luajtën si një grup u tradhtua nga një lojtar pasi pati një qasje joprofesionale. Nuk shkoj asnjëherë në zhveshtore për të thënë gjëra të tilla, por sot shkova menjëherë dhe ua thashë”, tha Mourinho.
Sidoqoftë, ai refuzoi të tregojë emrin e saktë se për kë bëhet fjalë: “Kam vendosur gjashtëmbëdhjetë (16) lojtarë në fushë.
Roma pas rezultatit të dytë negativ për momentin mban pozitën e 6-të me 26 pikë. Një fitore potenciale e Juventusit nesër në kampionat do të shënonte rënie të mëtejme të Romës në pozitën tabelore.

