Ylli fiton dramën në "Minatori" dhe mbron titullin në basketbollin kosovar
Në një atmosferë impozante në 'Minatori' është luajtur ndeshja e katërt e serisë së finaleve të play off-it në basketboll. Ambienti ishte i përsosur për një shfaqje cilësore basketbollistike. Në fund, Ylli arrit me plot meritë që të shënojë fitore.
Ishte Erjon Kastrati lojtari përcaktues me një tre pikësh kur mungonin 22 sekonda deri në fund të ndeshjes, duke çuar shifrat e rezultatit në 64-68.
Ndeshja filloi me lojë të baraspeshuar. Skuadrat treguan një efikasitet diskret të koshshënimit. Çerekun e parë Ylli e nisi më mirë ku shkoi deri në 5 pikë epërsi në një fazë të caktuar, kurse skuadrat shkuan në pauzë pas 10 minutave të parë me rezultatin 18-22.
Çereku i dytë po ashtu i baraspeshuar. Skuadrat aplikuan mbrojtje të mirë. Ylli ishte më shum i prirë që të vinte në pah një lojë të pjekur, pa kaluar në aventura të rrezikshme. Kështu u mbyll edhe çereku i dytë me rezultatin 17-16 në të mirë të "minatorëve", ndërkaq pjesa e parë u shënua me shifrat 35-38.
Pjesa e dytë nisi me një nismë të lehtë nga lojtarët e Trepçës. Kryesisht edhe ky çerek ishte shumë i luftuar, ku më shumë u vë në spikamë loja në mbrojtje sesa ajo në sulm. Në këtë çerek skuadra kampione në fuqi, Ylli, nuk arrinte që të gjente kompaktësinë e duhur në aksionet që i ndërtonte. Në anën tjetër, për Trepçën në disa raste në këtë çerek vendimtar u tregua Purvis, sikurse në momentin kur nga 10 metra shënoi tre pikësh për ta kthyer Trepçën në epërsi 49-47. Në fund, çereku i tretë u mbyll me shifrat e përgjithshme të barabarta 51-51.
Në çerekun e fundit Ylli e dëshmoi pse është skuadra më cilësore dhe kampione në vendin tonë. Në momentet më vendimtare e administruan më mirë lojën. Njësoj ndodhi edhe në këtë çerek, të cilin e fituan me rezultat 13-19, me shifrat përfundimtare që u mbyllën 64-70.
Lojtarët më të dalluar
Erjon Kastrati ishte lojtari më i dalluar në ndeshje me 21 pikë të shënuar, 5 kërcime dhe 1 asist. Pas tij pasuan Gordon me 17 pikë, 12 kërcime dhe 1 asist, Tmusic me 16 pikë, 5 kërcime dhe 1 asist, Graf me 15 pikë, 13 kërcime dhe 5 asiste, Purvis me 14 pikë, 1 kërcim dhe 2 asiste, e të tjerë që kishin rendiment më të dobët.
Lojtari më i dalluar i ndeshjeve finale apo siç njihet ndryshe MVP, u shpall lojtari i Kombëtares së Kosovës Mikaile Tmusic.