Xhudisti Gjakova fiton përballjen e parë në Evropian ndaj sllovenit Hojak, eliminohet Dardan Cena
Akil Gjakova e ka kaluar me sukses raudin e parë të garave në Evropianin e Xhudos që po mbahet në Zagreb të Kroacisë, duke e mposhur sllovenin Martin Hojak, në kategorinë deri në 73 kilogram.
Gjakova e fitoi ndeshjen ndaj Hojak me një Waza-ari, pasi paraprakisht përballja kishte shkuar në Golden Score dhe kundërshtari ishte në rrezik me dy shido (ndëshkime).
Ai tani kalon tutje në raundin e radhës, ku do të përballet me bullgarin Mark Hristov, numrin 25 të botës.
Kujtojmë se garuesi kosovar dyshohet për dhunë në familje dhe aktualisht është subjekt i një procesi gjyqësor në Kosovë, me drejtësinë në vendin tonë që nuk ia dha 30 ditë paraburgim, siç u kërkua nga Prokuroria.
Në anën tjetër, xhudisti Dardan Cena, që garoi në të njëjtën kategori, u eliminua në 1/16 e finales, pasi raundin e parë e kishte kaluar direkt pa garë.
Ai u mposht nga italiani Manuel Parlati në Golden Score, pasi i mori tre shido.