Xavi Hernandez: "Më duhet ta shoh prapë golin e Pedrit - synojmë ta fitojmë trofeun e Ligës së Evropës"
Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez, pas fitores ndaj Galatasarayt nuk ka kursyer fjalët e mëdha për talentin Pedro, i cili sot bëri një paraqitje për kartolinë, ku spikati me një gol teknikisht të papërmbajtshëm.
I pyetur nga gazetarët lidhur me golin që shënoi Pedri, ai u shpreh: "Goli i tij ishte më se i mirë. Ai është një lojtar që mund ta bëjë dallimin në fushë, të krijojë raste shënimi, të shënojë gola dhe të japë shumëçka në fushë. Kjo flet për lojtarin e madh që është. E pashë driblimin e tij. Më duhet ta shoh prapë. Ishte një gol i mahnitshëm. Ai është vetëm 19 vjeç. Jam krenar ta ushtroj një lojtar të kalibrit të tillë".
Më pastaj Xavi u pyet nga gazetarët edhe sa i përket ndeshjes së zhvilluar në tërësi, ku deklaroi: "Jam shumë i kënaqur me angazhimin e lojtarëve. Besoj që kemi krijuar shumë raste shënimi për ta fituar ndeshjen. Ne e gjetëm veten në një ndeshje më të ndërlikuar sesa që prisnim dhe na u deshtë të jemi të qetë. Kemi luajtur shumë më mirë sesa në ndeshjen e parë. Madje, besoj që kemi merituar të shënim akoma më shumë gola.
"Jemi treguar superiorë në të dy ndeshjet, por nëse e krahasojmë me ndeshjen e parë, sot kemi treguar më shumë qetësi dhe personalitet. Duhet thënë që Domenec e përgatiti ndeshjen në mënyrë të perfeksionuar dhe na befasoi me organizimin në mesfushë", shtoi ai.
Në lidhje me zëvendësimin e qendërmbrojtësit Gerard Pique, ai u shpreh: "Pique më tha që ndjehej jo rehat në fushë, pasi ndjente dhimbje gjersa vraponte. Kjo është arsyeja pse vendosa ta largoj nga fusha".
Për fund, trajneri i Barcelonës u pyet nga gazetarët edhe sa i përket asaj nëse ekipi i tij është favorit për ta fituar trofeun e Ligës së Evropës. Ai tha: "Po, kemi gjasa ta fitojmë (Ligën e Evropës). Nuk i njohim kundërshtarët tonë të mundshëm shumë mirë në këtë kompeticion dhe nuk kemi përvojën në anën tonë. Mirëpo, duhet të jemi të motivuar për ta ngritur trofeun lartë. Sot, bëmë një hap tutje", përfundoi ai.
Barcelona gjatë ditës së nesërme do ta mësojë kundërshtarin e radhës ndaj të cilit do të luajë në fazën e çerekfinales të Ligës së Evropës. Shorti hedhet në ora 13:00.