Xavi: E di që jemi favoritë, synimi ynë është ta fitojmë Ligën e Evropës - NACIONALE

Xavi: E di që jemi favoritë, synimi ynë është ta fitojmë Ligën e Evropës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Xavi Hernandez thotë se është i vetëdijshëm se Barcelona është favorite për ta fituar Ligën e Evropës, por këmbëngul se do të jetë një garë shumë e vështirë për skuadrën e tij.

Barcelona ra nga gara e Ligës së Kampionëve shumë herët këtë sezon, pasi i arriti vetëm dy fitore, të dyja kundër Viktoria Plzen, në gjashtë ndeshje në fazën grupore.

Tani, ajo do të luajë në garën dytësore evropiane për klube dhe së pari duhet ta kalojë një rund për t’u kualifikuar në rrethin e 16 më të mirëve.

Xavi e ka pranuar se synimi i tij është të arrijë në finale dhe ta fitojë trofeun e Ligës së Evropës, por këmbëngul se nuk do të jetë detyrë aspak e lehtë.

“Ende e kemi një Evropa Ligë të mirë. Synimi ynë është ta arrijmë finalen dhe ta fitojmë atë. E kuptoj se neve na cilësojnë si favoritë. Ne jemi të detyruar të provojmë për ta fituar Ligën e Evropës, por e pamë vitin e kaluar se është një garë shumë e koklavitur”, tha Xavi.

Me ekipet që janë në këtë garë sivjet, duket shumë e vështirë”, shtoi Xavi pas fitores së Barçës 4:2 kundër Viktoria Plzenit në ndeshjen e fundit të Grupit C në Ligën e Kampionëve të martën.

Barcelona do ta nisë fushatën e dytë radhazi në Ligën e Evropës më 16 shkurt, ndërsa shorti do të hidhet para Kupës së Botës më 7 nëntor.

Në play-off, katalonasit do të përballen me njërën prej skuadrave që do të përfundojë në vendin e dytë në fazën grupore të Ligës së Evropës. Megjithatë, atyre shorti nuk mund t’iu bjerë të luajnë me ndonjë ekip spanjoll në këtë rund.

Skuadra e Xavit do t’i zhvillojë vetëm edhe dy ndeshje para pushimit të detyrueshëm për Kupën e Botës, kundër Almerias dhe Osasunas në La Liga.

Lajme të ngjashme