Tottenham me vështirësi avancon tutje, Barcelona mposht Plzen
Tottenham ka arritur të kualifikohet pas një fitore të vështirë Marseille (1:2), për të avancuar tutje, derisa Barcelona mposhti në udhëtim ndaj Viktoria Plzen (2:4)
Derbi më interesant ishte padyshim mes Marseille dhe Tottenham, ku skuadra angleze në fund avancoi tutje pasi fitoi me rezultat 1:2.
Skuadra franceze ishte e jashtëzakonshme në pjesën e parë duke dominuar në të gjitha aspektet.
Chancel Mbemba në përfundimin e pjesës së parë kaloi vendasit në epërsi pas një asistimi të bukur të Jordan Veretout (45+2').
Tottenham e nisi shumë më mirë pjesën e dytë, duke arritur të barazojë përmes Clement Lenglet që u asistua nga Ivan Perisic (54').
Spurs gjetën rrugën drejtë rrjetës sërish, këtë herë përmes Harry Kane, por u anulua për pozitë jashtë loje (65').
Dy skuadrat provuan deri në fund që të gjejnë rrugën drejtë rrjetës për të vulosur fitoren, me skuadrën e Antonio Conte që gjeti fitoren përmes Emile Pierre-Hojbjerg (90+5').
Kështu, duke marrë parasysh fitoren e Eintracht Frankfurt ndaj Sporting Cp, Tottenham kualifikohet si lider me 11 pikë. Ndërkohë, Marseille i jep fund aventurës për gara evropiane.
Në anën tjetër, ashtu siç pritej Barcelona ka shënuar fitore në udhëtim te Viktoria Plzen me rezultat 2:4.
Pas vetëm gjashtë minutave lojë, Marcos Alonso shënoi golin e parë për klubin pas një asistimi të Ansu Fatit (6').
Ndërsa, ishte Ferran Torres që dyfishoi epërsinë pas një asistimi të Jordi Albas (44').
Plzen e nisi më mirë në pjesën e dytë, duke ngushtuar epërsinë përmes Chory (51'), që ishte i saktë nga pika e bardhë.
Sidoqoftë, duket se ishte dita e Torres që vetëm tre minuta më vonë realizoi sërish (54').
Plzen nuk u dorëzua duke gjetur sërish golin përmes Choryt (63'), i cili u asistua nga Vlkanova.
Mirëpo, Barcelona kompletoi fitoren përmes talentit Pablo Torre (75').
Barcelona vazhdon garat në Ligën e Evropës pasi përfundoi pozitë e tretë me shtatë pikë, ndërsa Plzen e mbyll këtë kompeticion pa asnjë fitore.