Xabi Alonso e ka të qartë se ku do të punojë në të ardhmen, Liverpooli e Bayern Munich në garë për spanjollin
Trajneri i Bayer Leverkusenit, Xabi Alonso, i cili po dominon ligën gjermane këtë sezon, duke mos pësuar asnjë humbje, ka të ngjarë që në verë të jetë në krye të një skuadre tjetër, me Liverpoolin e Bayern Munichin që po luftojnë për shërbimet e tij.
Dy gjigantët evropianë janë në treg për një trajner të ri, ndonëse në rrethana krejtësisht të ndryshme. Liverpooli është në kërkim të një pasardhësi të Jurgen Klopp, pasi trajneri legjendar gjerman njoftoi se do të largohej pas nëntë sezonesh të mbushura me trofe. Ndërkohë, Bayern do t'i japë fund një periudhe të trazuar me Thomas Tuchel në krye, i cili do të ndahet me Die Roten pas një sezoni të mjerueshëm - kryesisht falë Leverkusenit të Alonsos.

Me Liverpoolin dhe Bayernin që duket se janë në një përplasje të drejtpërdrejtë për nënshkrimin e Alonsos, Foot Mercato raporton se spanjolli ka një "preferencë të qartë" për destinacionin e tij të ardhshëm. Gazeta franceze shkruan se Alonso do të prirej drejt një rikthimi në Anfield pasi thuhet se është i prirur të marrë përsipër "sfidën e madhe" për të pasuar Klopp. Të rinjtë e të kuqve që ai do të trashëgonte kanë treguar tashmë vlerën e tyre, pasi shumë prej tyre ndihmuan në mposhtjen e një skuadre pothuajse të plotë të Chelseat në Kupën Carabao të dielën.
Stabiliteti mendohet gjithashtu të jetë një faktor në preferencën e Alonsos. Liverpool do t'i ofronte spanjollit strukturë më të madhe se Bayerni, i cili ka qenë në rrëmujë që para se Tuchel të merrte drejtimin. Ish-shefi Julian Nagelsmann u përplas me figurat kryesore si Manuel Neuer, ndërsa Sadio Mane u përfshi në një grindje fizike me Leroy Sane gjatë mandatit të Nagelsmann. Një ndryshim në anëtarët e bordit nuk ka shkaktuar asnjë ndryshim në qasje, ashtu siç dëshmohet nga prishja e minutës së fundit e marrëveshjes së Joao Palhinha nga Fulham në verë.

Ndërsa Liverpool mund të paraqesë një perspektivë më tërheqëse se Bayern, pasimi i Klopp nuk do të jetë diçka e lehtë. Trajneri legjendar gjerman është ende në rrugën drejt një sezoni me katër trofe dhe e cilësoi fitoren e së dielës në Wembley "trofeun më të veçantë të tij".