Wimbledon: Alcaraz triumfon me lehtësi në gjysmëfinale ndaj rusit Medvedev, në finale do të përballet me serbin Djokovic - NACIONALE

Wimbledon: Alcaraz triumfon me lehtësi në gjysmëfinale ndaj rusit Medvedev, në finale do të përballet me serbin Djokovic

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Turneu më prestigjioz i Tenisit, Wimbledon, po shkon drejt fundit, me gjysmëfinalet që kanë përfunduar tashmë, ku janë mësuar dy finalistët për vitin 2023. Numri 1 i botës, Carlos Alcaraz e mposhti me shumë lehtësi rusin Daniil Medvedev 3:0 në sete, ashtu siç bëri në anën tjetër Novak Djokovic që mposhti italianin Jannik Sinner, me po të njëjtin rezultat.

Numri 3 i botës te burrat, Medvedev, për asnjë çast nuk arriti ta rivalizonte Alcarazin, me këtë të fundit që përmbylli takimin brenda dy orëve me rezultat 6:3, 6:3 dhe 6:3.

Seti i parë deri në momentin kur rezultati në ‘Game’ ishte 3:3, po shkonte për dy tenistët shumë mirë, deri në momentin kur Alcaraz e theu në servim rusin dy herë radhazi, për ta fituar setin e parë në 35 minuta.

Edhe në setin e dytë rezultati në game ishte i njëjtë, por kësaj radhe Medvedev u thye në servime më shpejt, për t’ia lehtësuar spanjollit punën, ndonëse ky set përfundoi me një minutë lojë më shumë se ai i pari.

Medvedev dukej tashmë i mposhtur dhe në setin e tretë, Alcaraz mori tre ‘Game’ të shpejtë për ta çuar rezultatin në 3:0, ndonëse rusi arriti të kthehej sadopak, por ishte e pamjaftueshme, pasi numri 1 i botës triumfoi 6:3 në setin e tretë dhe rezultatin final në sete 3:0.

Gjysmëfinalja tjetër mes Djokovic dhe Sinner që u zhvillua më herët zgjati pak më shumë, me tri orë që iu deshën serbin për ta fituar takimin 3:0 në sete apo 6:3, 6:4 dhe 7:6(7-4).

Finalja e madhe e Wimbledon 2023 do të zhvillohet tani mes numrit 1 të botës dhe kampionit në fuqi, me ndeshjen që është në orar të luhet të dielën me fillim nga ora 16:00 në ‘Centre Court’.

Lajme të ngjashme