Vojvoda: S’kemi pse të brengosemi që luajmë ndaj Interit, shkojmë për fitore
Mërgim Vojvoda ka bërë një paraqitje sensacionale gjatë mbrëmjes së djeshme kundër Lecces, duke kontribuar me një asist për golijn e vetëm të fitores që e shënoi Vlasic.
Vojvoda ishte i pafat gjatë stinës verore. Dy lëndime e shoqëruan atë: njëri në muajin qershor, tjetri në fund të muajit korrik. Ky i fundit ia komprometoi shumë fillimin e sezonit në Serie A, duke ia humbur dy ndeshjet e para.
Pas ndeshjes që zhvilloi mbrëmë, ku spikati me një paraqitje tejet të mirë, ai ishte në qendër të vëmendjes nga shtypi italian, i cili e vlerësoi me nota të larta.
Mbrojtësi 27-vjeçar në fund të ndeshjes u shpreh i lumtur për fitoren dhe ecurinë e skuadrës, e cila hasi në shumë probleme gjatë fazës parapërgatitore, me lojtarë që mungonin, largime të mëdha, si dhe afrime të vonuara të lojtarëve në afatin kalimtar veror.
Vojvoda paralajmëron Interin
Për Mërgim Vojvodën ndeshja që është në program të shtunën mbrëma në “San Siro” kundër Interit, është rutinore dhe nuk është se duhet të përbëjë ndonjë lajm. Po ashtu, sipas tij, as nuk duhet të përcjellët mesazhi se kemi të bëjmë me një ndeshje ku Torino duhet t’i druhet humbjes.
“Pse duhet të jemi të brengosur që kemi si kundërshtar Interin? Nga sot do të ushtrohemi për të vajtur në Milano dhe ta luajmë ndeshjen dhe për ta fituar në fund”, u shpreh ai për mikrofonin e kanalit zyrtar të klubit, “Torino Channel”.
Mërgim Vojvoda mbetet pikë referimi për Torinon në mbulimin e krahut të majtë. Brenda dhjetë ditësh ai bëri dy asiste në kampionat, sa për të paralajmëruar ambientimin e tij shumë të mirë në Serie A, duke mos qenë asgjë rastësore.
Për shkak të disa problemeve shëndetësore dje nuk ishte i pranishëm trajneri i tij, Ivan Juric, por me siguri që njësoj siç bëri tifozët dhe shtypin lokal e kombëtar për vete me atë çfarë tregoi gjatë gjithë ndeshjes kundër Lecces – edhe trajnerit kroat i ka përçuar sinjalet e duhura.
Shifrat mahnitëse të Vojvodës kundër Lecces
Mërgim Vojvoda ishte vazhdimisht i pranishëm si kërcënim serioz për portën e mbrojtur nga Falcone. Ai ishte lojtari i dytë në ndeshje që krijoi më së shumti raste shënimi (3). Dy nga pasimet kyçe të Vojvodës ishin vrastare për skuadrën e Lecces, ku me ç’rast njëri u finalizua me gol.
Ai ishte në mesin e lojtarëve më të mirë në ndeshje edhe sa i takon rikuperimit të topave (6). Në bazë të statistikave të detajuara të siguruara nga Gazeta Nacionale nga takimi i mbrëmshëm, mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës ishte ai që më së shumti u dallua sa i përket largimit nga mbulimi që ia bënin lojtarët kundërshtarë. Thjeshtuar më shumë, Vojvoda ishte ai që i iku më së shumti mbulimit të lojtarëve të Lecces (82,88%).
Me 11,461 km mbrojtësi 27-vjeçar kosovar ishte ai që vrapoi më së shumti në fushë nga të dy ekipet, duke lënë mbrapa lojtarë të spikatur nga Serbia dhe Kroacia, si Lukic, Radonjic apo Vlasic.

Shifrat janë komplementare, ngase pa pasur nevojë t’i rendisim këto ishte e tejdukshme se Vojvoda bëri një paraqitje të shkëlqyer mbrëmë ndaj Lecces.

