Vieira e quan “budallallëk” festimin e Martinezit: Ishte krejtësisht i panevojshëm
Trajneri francez i Crystal Palacet, Patrick Vieira, ka folur në konferencë për shtyp në lidhje me festimin e Emi Martinezit në finalen e Kupës të Botës. Vendimin për të festuar asisoj ai e quajti “budallallëk”.
Gardiani argjentinas pasi pranoi çmimin e portierit më të mirë në Kupën e Botës, shfrenoi fantazinë, e më shumë se kaq edhe injorancën, duke bërë një gjest të pahijshëm e rrugaçëror.
Si sjellje dhe festim të pavend e konsideron edhe vetë trajneri i Crystal Palacet, Patrick Vieira, që njëherësh dikur ka qenë edhe futbollist i kombëtares franceze.
“Nganjëherë nuk mund t’i kontrollosh emocionet apo vendimet e njerëzve. Ai vendim nga Martinez për të festuar asisoj ishte budallallëk”, shtoi ai.
Viera thuri lëvdata për paraqitjen dhe suksesin e kombëtares argjentinase. Trajneri i skuadrës londineze mendon se triumfit të “Seleccion” i dha një hije të keqe pikërisht sjellja aspak e mirë e portierit të vet.
“Disa fotografi që kam parë të portierit të Argjentinës i kanë hequr diçka asaj që kombëtarja argjentinase arriti në Kupën e Botës. Nuk besoj që vërtet kishin nevojë”, shpjegoi.

Martinez po qëndron në pushime në vendlindjen e tij. Ai do të rikthehet që të jetë në gatishmëri të Aston Villas dhe trajnerit Emery që nga java e ardhshme.
Vetë Emery në konferencën e djeshme për shtyp la të nënkuptohej që gjithashtu as atij nuk i kanë pëlqyer pamjet me sjelljet e tilla nga portieri i vet.
Gjithashtu premtoi se do të flasë me të që t’i kontrollojë sa më shumë emocionet dhe të mos lëshohet në gjeste të atij lloji.
Martinez që nga viti 2020 është portier i skuadrës nga Birmingham dhe ka një kontratë afatgjate që e lidhë atë me klubin në fjalë deri në verën e vitit 2027.

