Shkaktoi shumë polemika, Emery: Do të flas me Martinezin për t’i kontrolluar emocionet - NACIONALE

Shkaktoi shumë polemika, Emery: Do të flas me Martinezin për t’i kontrolluar emocionet

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Trajneri i Aston Villas ka folur në konferencë për shtyp në lidhje me festimin e Emi Martinez në finalen e Kupës së Botës që ngriti shumë polemika. Ai tha se do t’i flasë rreth kontrollimit të emocioneve.

Martinez nuk u përmbajt fare pasi kombëtarja e tij fitoi Kupën e Botës kundër Francës. Ai e kishte personale edhe me Kylian Mbappen dhe kombëtaren franceze në përgjithshme.

Kur atij iu dorëzua çmimi si portieri më i mirë në Kupën e Botës, bëri një gjest aspak të hijshëm në sytë e të gjithë të pranishmeve. Pamjet nga ai festim qarkulluan shumë shpejt gjithandej botës dhe shkaktuan polemika të pafundme.

Portieri 30-vjeç është pjesë e Aston Villas. Në konferencë për shtyp trajneri i skuadrës nga Birmingham theksoi se do të diskutojë privatisht me portierin argjentinas porsa ai të rikthehet nga pushimet, në mënyrë që të jetë i aftë t’i kontrollojë emocionet.

“Preferoj që të koncentrohem në lidhje me atë se si është sjellur me ne dhe si pastaj do të fitojë me ne. Do të flas me të sepse dua ta kontrolloj edhe në këtë aspekt: në emocionet e tij”, shtoi ai.

Emery la të nënkuptohej se gjesti nuk i ka pëlqyer as vetë atij: “Duhet të kemi disa vlera. Duhet të jemi të përqendruar rreth sjelljes qoftë kur jemi bashkë apo ndaj kundërshtarëve.”

Gjithsesi, përfaqësuesi argjentinas do të ketë edhe një javë pushim gjersa të rikthehet për t’i shërbyer skuadrës angleze në fazën e dytë të sezonit që i pret në Premierligë.

“Dua të flas me të kur të rikthehet këtu javën e ardhshme, por më shumë jam duke menduar rreth paraqitjeve dhe triumfit të tij sesa për mënyrën e festimit”, nënvizoi Emery.

Mediet angleze shkruajnë se tifozët e Aston Villas janë duke e përgatitur një mikpritje të ngrohtë për portierin e tyre, duke e uruar kështu për suksesin e korrur në Katar gjatë Kupës së Botës.

Ai është pjesë e Aston Villas që nga viti 2020 kur u transferua nga “Topçinjtë”. Kontrata e tij me klubin është afatgjate, pasi skadon tek në verën e vitit 2027.

Skuadrën e Emeryt e pret një ndeshje e vështirë në letër ditën e hënë, kur do të përballet ndaj Liverpoolit me fillim në ora 18:30 në “Villa Park”.

Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme Martinez udhëtoi në drejtim të qytetit të tij ku ka lindur, me ç’rast e pritën mijëra bashkëvendës. Aty përcolli mesazhe falënderimi për Lionel Messin, por edhe vazhdoi me vallëzimet e tij klasike, që për dikë janë të kontestueshme dhe josportive, edhe pse nga argjentinasit është parë me shumë dashuri dhe entuziazëm.

Lajme të ngjashme