Emi Martinezi e shpjegon më në fund pse e bëri gjestin e “rrugaçit”
Emiliano Martinezi ka shpjeguar se e bëri gjestin e pahijshëm me çmimin Dorëza e Artë në podiumin e Kupës së Botës si kundërpërgjigje ndaj fishkëllimave të tifozëve francezë gjatë finales.
Martinezi ishte njëri prej heronjve të Argjentinës në finale, duke e bërë një pritje vendimtare një kundër një me Randal Kolo Muani në çastet e fundit të vazhdimeve, si dhe duke i pritur dy penallti në gjuajtjen e penalltive.
Pasi në tri ndeshje nuk e pësoi asnjë gol në Katar, dhe penalltive të mbrojtura në çerekfinale kundër Holandës dhe në finale kundër Francës, portieri i Aston Villës u shpall portieri më i mirë i turneut.
Menjëherë pasi e mori trofeun Dorëza e Artë, Martinezi e bërë një gjest të pahijshëm duke e drejtuar atë kah organi gjenital dhe tani ka treguar pse e ka bërë një gjë të tillë.
“E bëra sepse francezët më fishkëllyen. Krenaria nuk funksionon me mua”, tha Martinezi për radion argjentinase La Red.
Martinezi luajti rol vendimtar edhe në triumfin e Argjentinës kundër Holandës me penallti në çerekfinale, duke i pritur dy penallti.
Pas atij takimi ku gjyqtari ndau 18 kartonë të verdhë, Martinezi i kishte thënë një kundërshtari holandez: “Mbylle gojën, idiot!”
Ai ishte tejet i lumtur që në fund Argjentina e fitoi trofeun pas shumë vuajtjeve.
“Ne vuajtëm shumë. Menduam se e kishim lojën në kontroll por ata ia dolën të riktheheshin. Ishte një ndeshje e komplikuar. E kishim të shkruar të vuanim”, tha Martinezi pas ndeshjes.

