Victor Osimhen përjashtohet nga Conte, s'ftohet prapë në miqësore
Sulmuesi Victor Osimhen sërish as s’u ftua nga Antonio Conte në miqësoren që Napoli zhvilloi ndaj Genoas.
Skuadra e Conte zhvilloi sfidën e fundit parapërgatitore duke u mposhtur nga Genoa me rezultat 2:0.
Osimhen që po vazhdon të stërvitet me Napolin, nuk ka zhvilluar as edhe një ndeshje me skuadrën italiane që po vazhdon ta negociojë largimin e tij.
Nigeriani s’ishte as në bankën rezervë në këtë humbje, derisa Napoli do t’ia bëjë sefte edicionit vikendin tjetër ndaj Modenas në kuadër të Kupës së Italisë të shtunën.
Më herët këtë javë u raportua se Chelsea dhe Napoli po diskutojnë për një marrëveshje mes Osimhenit dhe Lukakut, e cila do të shihte belgun që kalon në Itali në një marrëveshje të përhershme, derisa nigeriani të transferohet në “Stamford Bridge” në formë huazimi me opsion blerje.
Napoli ka pranuar ta shet Osimhenin këtë verë, mirëpo presidenti Aurelio de Laurentiis po kërkon se skuadra e interesuar të paguajë klauzolën e lirimit në vlerën e 130 milionë eurove.
PSG deri vonë ishte favoriti, duke bërë edhe një ofertë verbale prej 90 milionë eurove megjithatë oferta u hodh menjëherë poshtë nga klubi italian.
Kurse, mediat italiane kanë shkruar se Conte në mënyrë private ia ka bërë të qartë Napolit se Lukaku do të jetë zgjedhja e parë për pozitën e numrit nëntë.