Vendos autogoli i Ake, Arsenal fiton derbin ndaj Man Cityt
Arsenal me shumë mund ka arkëtuar pikët e plota në shtëpi në derbin anglez ndaj Manchester Cityt, në kuadër të xhiros së tetë në Premierligë.
“Topçinjtë” triumfuan me rezultat minimal 1:0.
Ndeshja ishte shumë e baraspeshuar me Arsenal që ndoshta ishte pak më poseduese.
Man City e nisi më mirë duke pasur një mundësi të mirë shënimi me Nathan Ake, që dështoi nga afërsia derisa mysafirët as nuk përfituan nga një gabim i portierit Raya.
Arsenal mbeti i zemëruar me vendimet e gjyqtarit pasi Mateo Kovacic nuk u ndëshkua me karton të kuq, pavarësisht që bëri dy ndërhyrje mjaftë të rënda.
Kjo lojë e hapur vazhdoi edhe në pjesën e dytë, me të dy skuadrat që kërkonin t’i arkëtonin pikët e plota.
Heroi për Arsenalin ishte sulmuesi Gabriel Martinelli, goditjen e të cilit e devijoi Nathan Ake dhe përfundoi brenda rrjetës së Edersonit (86’).
Pas kësaj fitore, Arsenal merr pozitën e dytë në tabelë me 20 pikë, dy më shumë se Man City që bie në vendin e tretë.