Vëllaznimi fantastik e mposht Prishtinën, Peja triumfon ndaj Bashkimit - NACIONALE

Vëllaznimi fantastik e mposht Prishtinën, Peja triumfon ndaj Bashkimit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Sot janë zhvilluar takime nga java e fundit e sezonit të rregullt në Superligën e Basketbollit kosovar, ku Vëllaznimi e ka mposhtur Prishtinën me rezultat 99:94, ndërsa në anën tjetër Peja triumfoi ndaj Bashkimit 85:79.

Tashmë po thuajse ka përfunduar gjithçka dhe me shumë gjasë Peja pas kësaj fitore do ta ketë pozitën e dytë në tabelën përfundimtare, por kjo ende nuk është definitive deri në ndeshjen e nesërme mes Yllit dhe Trepçës.

Vëllaznimi ishte befasi e këndshme e kësaj jave, pasi fitoi në Prishtinë me pesë pikë epërsi, me të dy skuadrat që kanë siguruar play-offin tashmë.

Seria mes këtyre dy skuadrave tani është me nga dy fitore nga secila në ndeshjet direkte dhe me shumë gjasë ato do të përballen mes vete në play-off për një vend në gjysmëfinale.

Vëllaznimi ishte skuadër bindshëm më e mirë në pjesën e parë të takimit, ndërsa kryeqytetasit u munduan të ktheheshin në lojë duke fituar dy çerekët në vazhdim, por kjo ishte e pamundur.

Te skuadra gjakovare më i dalluari ishte Jalen Ray me 21 pikë, ndërsa Jones nga banka rezervë shtoi 20 sosh.

Ndërsa te Prishtina si gjithnjë u dallua Diamond Stone, që shënoi 34 pikë e kontribuoi me 13 rebounds, ndërsa edhe Clark shtoi 20 pikë.

Ndeshja tjetër e zhvilluar në Karagaqi në Pejë u fitua nga Shqiponjat me gjashtë pikë epërsi.

Peja ishte për një nuancë më e mirë në pjesën e parë, duke shkuar në pushim me tri pikë epërsi, ndërsa kjo epërsi u rrit në çerekun e tretë, duke u bërë +19, por që në 10 minutat e fundit loja fantastike e Bashkimit bëri që ndeshja të përfundonte 85:79, pra vetëm gjastë pikë epërsi për Pejën.

Jimmy Hall ishte më i dalluari te pejanët me 19 pikë, ndërsa edhe katër lojtarë të tjerë shënuan pikë dyshifrore.

Në anën tjetër Lejson Zeqiri pati paraqitje fantastike me 21 pikë të shënuara, i ndihmuar nga Copes me 19, por që ishin të pamjaftueshme.

Me këtë fitore, Peja pothuajse ka siguruar vendin e dytë që dërgon direkt në gjysmëfinale të play-offit, vetëm në rast të befasisë nëse Ylli e mposht Trepçën në ndeshjen e fundit nesër.

Lajme të ngjashme