Vazhdon forma e tmerrshme e Interit në Serie A, mposhtet nga Monza në shtëpi
Interi ka çuar në pesë numrin e ndeshjeve radhazi pa fitore në Serie A, tani duke u mposhtur në San Siro me rezultat 1:0 nga Monza.
Zikaltrit nuk kanë arritur ta përcjellin formën e mirë nga Liga e Kampionëve. Duke parë paraqitjen e fundit ndaj Benficës në çerekfinalen e parë dhe ndeshjet tjera në këtë garë, zikaltrit kanë treguar krejtësisht tjetër fytyrë në Serie A dhe tani rrezikon të mos e sigurojë një vend për në Ligën e Kampionëve në sezonin e ardhshëm.
Skuadra e Simone Inzaghit ishte për një nuancë më e mirë gjatë tërë takimit, duke krijuar disa raste, që u shpërdoruan nga Correa, Lukaku e Lautaro, ndërsa Monza e inkuadruar këtë sezon në Serie A, në një nga rastet e pakta arriti të shënonte për golin e fitores.
Ishte mbrojtësi Luca Caldirola që shënoi për 1:0 në minutën e 78-të, që rezultoi të ishte epilogu final i këtij takimi.
Interi tashmë gjendet në vendin e pestë, me dy pikë më pak se Milani i vendit të katërt dhe rrezikon të zbresë në vendin e gjashtë në rast të fitores eventuale të Atalantës të hënën, ndërsa Monza tashmë është ngritur për një pozitë me këtë fitore nga e 13-ta në të 12-tën.
