Valon Berisha: Fitoren e duam, por me rëndësi është të mos humbasim
Kombëtarja e Kosovës sot ka mbajtur seancën e tretë stërvitore në prag të fillimit të kampanjës kualifikuese për Euro 2024. Me të përfunduar seanca, mesfushori Valon Berisha, ka folur për faqen zyrtare të FFK-së, ku ka thënë se fitoren e duan, por në ndeshjen ndaj Izraelit është më rendësi të mos humbasin.
Kosova do ta zhvillojë ndeshjen e parë kualifikuese më 25 mars të shtunën ndaj Izraelit, teksa pas tre ditësh kthehet në Fadil Vokrri për ta pritur Andorrën, në dy ndeshjet e para drejt ëndrrës së quajtur Kampionati Evropian.
Berisha i cili karrierën po e vazhdon në Australi me skuadrën e Melbournes, thotë se ende nuk është në 100% e tij, pasi ka udhëtuar për dy ditë radhazi, ndërsa thotë se dy skuadrat që përballen në Izrael janë në të njëjtin nivel dhe se duhet të synohet vendi i dytë në grup.

“Atmosfera është shumë e mirë dhe stërvitja sot ishte shumë intensive. Për mua ishte pak më e vështirë, pasi kam udhëtuar thuajse dy ditë për të ardhur këtu. E ndjeva veten mirë, por ende jo 100 përqind i rikuperuar. Ekipi po punon mirë dhe sot kemi filluar ta përgatisim lojën tonë, të cilën do ta aplikojmë kundër Izrealit. Sigurisht se do të jetë një ndeshje e vështirë sepse ata luajnë para tifozëve të vet. Edhe koha mendoj se do të jetë më ndryshe se sa jemi mësuar ne, me temperaturat këtu dhe do të jetë një sfidë e vështirë. Edhe ata duan të arrijnë në top dyshen e grupit dhe mendoj se jemi në të njëjtin nivel.”
30-vjeçari tutje thotë se kjo ndeshje është shumë e rëndësishme dhe nuk bënë që në asnjë formë të humbasim, duke synuar të paktën një pikë edhe pse fitorja është e dëshirueshme.

“Është një ndeshje shumë e rëndësishme, në të cilën duhet që së paku të marrim një pikë jashtë. Normal, fitorja është ajo që duam, por me rëndësi është të mos humbim. Misioni i kualifikimit a është i mundur? Besoj që po. Ajo që është kryesore për ne është se shumë lojtarë kyç në kombëtare janë duke luajtur rregullisht në ekipet e tyre dhe janë në formë të mirë. Ky ndoshta ka qenë edhe fakti që është kërkuar më së shumti tek kombëtarja jonë, që me sjellë formën e tyre të mirë dhe të jenë të gatshëm për ta dhënë maksimumin për Kosovën.”
Kosova gjendet në grupin I së bashku me Zvicrën, Rumaninë, Bjellorusinë, Izraelin dhe Andorrën.

