Vaki shqiptare: Laçi shkarkon trajnerin pas xhiros së parë shkaku që barazoi ndaj Erzenit
Klubi futbollist Laçi ka befasuar të gjithë me postimin e fundit në rrjetin social “Facebook”, ku njoftuan shkarkimin e trajnerit Stavri Nica.
Edhe pse ishte vetëm xhiroja e parë, skuadra shqiptare është treguar ‘duar hekur’ duke e shkarkuar trajnerin shkaku i një barazimi.
Përmes një postimi në Facebook, Laçi njoftoi se Nica nuk do të jetë më trajner shkaku i ‘rezultatit zhgënjyes’ kundër Erzenit.
“𝐊𝐅 𝐋𝐚𝐜̧𝐢 njofton se ka ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin 𝐒𝐭𝐚𝐯𝐫𝐢 𝐍𝐢𝐜𝐚, pas rezultatit zhgënjyes në ndeshjen kundër Erzenit ditën e diel”, shkroi klubi.
Laçi mesa duket e ka vlerësuar tejet zhgënjyese që pranuan dy gola të vonshëm nga Erzen pasi ishin në epërsi prej 3:1, gjë që i ka kushtuar trajnerit me punë.
Kësisoj, pas xhiros së parë Laçi renditet në pozitën e katërt me një pikë, dy më pak se liderët Vllaznia, Tirana respektivisht Skënderbeu.