US Open: Nick Kyrgios e shkatërron rusin Daniil Medvedev dhe e rrëzon nga pozita e liderit në renditjen botërore
Nick Kyrgios i dha fund shpresave të Daniil Medvedevit për ta mbrojtur titullin në US Open, pasi e mposhti në katër sete argëtuese numrin një të botës të dielën në Nju Jork.
Tenisti 27-vjeçar nga Australia dëshmoi edhe një herë talentin e tij të madh dhe të gjitha goditjet që posedon duke triumfuar 7-6 (13-11) 3-6 6-3 6-2, në rrethin e 16 më të mirëve.
Serving for the US Open quarterfinals, Nick Kyrgios delivered this. 🥶️@Heineken Serve of the Day | #USOpen pic.twitter.com/ONXF2fGqY7
— US Open Tennis (@usopen) September 5, 2022
Medvedev, 26 vjeç, do ta humbë pozitën si tenisti numër një në botë pas kësaj disfate.
Kyrgios, i cili ishte finalist në Wimbledon këtë vit, do të përballet me një rus tjetër në çerekfinale, numrin 27 të botës Karen Khachanov.
Khachanov arriti në çerekfinale të një turneu grand slam për herë të tretë duke e mundur spanjollin Pablo Carreno Busta në pesë sete, 4-6 6-3 6-1 4-6 6-3.
“Ishte një ndeshje e mahnitshme. Daniil është kampion në fuqi dhe me shumë presion në supet e tij, por unë po luaj shumë mirë kohëve të fundit”, tha Kyrgios, i cili pas kësaj fitoreje do të futet në mesin e 20 më të mirëve në botë.
“Njerëzit filluan të dyshojnë vërtet në aftësitë e mia për të fituar ndeshje si kjo në turne grand slam. Unë jam shumë krenar me veten sepse nuk ka qenë e lehtë të përballem me të gjitha kritikat”, shtoi ai.
Kyrgios gjithmonë e ka dëshmuar se e ka talentin për të fituar turne të mëdhenj, por tha se ka qenë “vende vërtet të frikshme mentalisht”, gjë që ia ka ndalur përparimin.
Arritja në finale të Wimbledonit, ku humbi përballë Novak Djokovicit, tregoi se ai e kishte kuptuar se çfarë i nevojitej të bënte brenda dhe jashtë fushës për të qenë i suksesshëm.
“Ndiej se po luaj për shumë më shumë se thjesht veten time. Jam shumë i motivuar tani”, theksoi Kyrgios.
Nick Kyrgios lost the point by doing this 😅 #USOpen pic.twitter.com/lG5qPjfMhH
— ESPN (@espn) September 5, 2022
