UEFA paralajmëron dënim të ashpër për Shqipërinë e Kroacinë, ndërsa pezullim për Mirlind Dakun
UEFA ka njoftuar këtë të premte, se në përputhje me nenin 31.4 të Rregullorës së saj disiplinore, ka emëruar një inspektor të Etikës dhe Disiplinës, për të kryer hetime të thirrje raciste ose diskriminuese të tifozëve të Kroacisë dhe Shqipërisë, në ndeshjen që u zhvillua të mërkurën në Hamburg.
Më konkretisht, shtëpia e futbollit evropian, UEFA, po heton thirrjet kundër Serbisë dhe Maqedonisë nga tifozët kroat dhe shqiptarë. UEFA do të hetojë edhe sjelljen e pahijshme të lojtarit shqiptar, Mirlind Daku, i cili pas barazimit 2:2, përdori një megafon duke iu bashkuar thirrjeve të tifozëve në ofendime ndaj maqedonëve.
Pak pas duelit, sekretari i federatës serbe, Jovan Surbatovic, kërcënoi se do të tërhiqte ekipin nga turneu nëse nuk merren masa, një njoftim qesharak nga ana serbe, duke ditur se ishin të parët që bënë thirrje nacionaliste në këtë Evropian.
UEFA njoftoi se në orët në vijim do të ketë një vendim për këtë çështje, por normale është që të dyja Federatat marrin një sanksion të konsiderueshëm financiar dhe Daku me siguri do të dënohet me disa ndeshje, ndaj nuk do të luajë kundër Spanjës të hënën e ardhshme. Një mungesë e madhe, ku dihet se Shqipëria duhet të fitojë për të kaluar në fazën tjetër.
Ditën e djeshme, vetë Daku ka lëshuar një komunikatë kërkim-falje përmes rrjeteve të tij sociale: “Së pari dua të falënderoj të gjithë ata që na kanë mbështetur në kohët e mira dhe në ato të vështira të Euro 2024. Si çdo futbollist, në ato momente, emocionet janë në një nivel tjetër, vetëm në fushë mund ta kuptosh, është e vështirë të përshkruash ndjenjën e të luajturit për Shqipërinë dhe për këtë tifozë të mrekullueshëm që na dhurojnë dashuri pa kufi, ashtu siç është motoja jonë: “Duaje Shqipërinë pa kufi”. Më falni nëse ofendova dikë pas ndeshjes kundër Kroacisë. Unë do të vazhdoj të punoj me të gjithë ekipin për ëndrrat tona. Të kërkosh falje është për burrat dhe ndiej detyrimin moral dhe profesional ta bëj këtë për të gjithë ata që janë lënduar.”