UEFA fajtore për rrëmujën para finales Liverpool – Real Madrid në Ligën e Kampionëve
UEFA është përgjegjëse për rrëmujën që gati sa nuk çoi drejt një fatkeqësie, para finales së Ligës së Kampionëve mes Liverpoolit dhe Real Madridit, sipas një raporti të pavarur.
Tifozëve i ishte ndaluar të futeshin në stadium dhe ndaj tyre ishte hedhur gaz lotsjellës pranë stadiumit Stade de France në Paris, ndërsa fillimi i finales ishte shtyrë për 36 minuta.
“Është e jashtëzakonshme që askush nuk e humbi jetën aty”, thuhet në raport, të cilin e thirri vetë UEFA pas finales së 28 majit.
UEFA dhe autoritetet franceze fillimisht i fajësuan tifozët pa bileta për shkaktimin e rrëmujës pranë stadiumit.

Por raporti i pavarur thotë se nuk ka dëshmi për ta mbështetur këtë pretendim qortues.
“Paneli ka ardhur në përfundim se UEFA, si organizatore e ngjarjes, është përgjegjësja kryesore për dështimet, të cilat gati sa nuk shkaktuan fatkeqësi”, thuhet në raport.
“Të gjithë zyrtarët e intervistuar nga paneli janë pajtuar se situata ishte buzë përshkallëzimit: një term i përdorur kur një ngjarje gati sa nuk shndërrohet në katastrofë masive me fatalitete”.
Derisa raporti theksoi se edhe organet e tjera kontribuuan në këtë dështim – veçanërisht nga policia franceze dhe Federata e Futbollit e Francës – të gjetura tregojnë se shtëpia e futbollit evropian është fajtorja kryesore.
Çfarë kishte ndodhur pranë Stade de France?
UEFA fillimisht ia kishte lënë fajin vonesës së tifozëve për shkaktimin e telasheve, të cilat e vonuan fillimin e finales për rreth gjysmë ore.
Shumë tifozë të Liverpoolit thanë se kishin shkuar në stadium disa orë para fillimit të ndeshjes – e cila ishte caktuar të luhej në orën 21:00 – por nuk ishin lejuan të futeshin brenda.
Portat e stadiumit u hapën në orën 18:00 dhe tifozëve i ishte kërkuar të shkonin më herët për të mos shkaktuar rrëmujë.

Në portat e stadiumit ishin krijuar rreshta të gjatë të tifozëve duke pritur për t’u futur brenda. Pesë minuta para fillimit të ndeshjes, UEFA njoftoi se fillimi i finales u shty deri në orën 21:15 për arsyeje sigurie.
Dëshmitarët e rastit thanë se policia franceze përdori sprej, duke e detyruar turmën e tifozëve të tërhiqeshin mbrapa, disa prej të cilëve kishin vjell dhe kishin vrapuar për të kërkuar ujë për ta lehtësuar dhimbjen.
Në orën 21:14, UEFA njoftoi se fillimi i finales do të shtyhej sërish, deri në orën 21:36.
Ministrja e Sportit e Francës, Amelie Oudea-Castera, i kishte akuzuar tifozët se kishin tentuar të futeshin në stadium pa bileta apo me bileta të rreme. Më vonë u zbulua se kjo nuk ishte e vërtetë.