UEFA e dënon me mbi 80 mijë euro Kroacinë pak para përballjes me Shqipërinë
Na ndajnë vetëm disa minuta deri në fillimin e ndeshjes Kroaci - Shqipëri në kuadër të xhiros së dytë të grupeve në Evropian, dhe kroatët kanë marrë një dënim të ashpër nga UEFA, me një gjobë mbi 80 mijë euro.
Siç mësohet, gjoba erdhi për shkak të sjelljeve të tifozëve në përballjen ndaj Spanjës, që kroatët e humbën me rezultat të thellë 3:0.
Federata Kroate është dënuar me 63 mijë e 875 euro për hedhjen e gotave plastike nga tifozët dhe 24 mijë euro për ndezjen e flakadanëve, pra në total 87 mijë e 875 euro.
Shefi i sigurisë së kombëtares kroate, Jurica Jurjevic, komentoi vendimin e UEFA-s në televizionin kroat N1, ku tha:
"Sot kemi marrë një gjobë nga UEFA për sjellje të paligjshme. Futbolli shkakton emocione dhe është i vështirë për t’u kontrolluar, më e rëndësishmja është se nuk ka pasur incidente të mëdha. Hedhja e gotave dhe flakadanët janë problemi më i madh për momentin. Në Hamburg po bie shi, kështu që siç thonë duhet të lagesh pak”.
Kujtojmë, se Federata e Futbollit të Shqipërisë gjithashtu mori një dënim nga UEFA për sjellje të njejta pothuajse, por që shuma e dënimit ishte më e vogël, saktësisht 37 mijë e 375 euro.