U akuzua nga Haxhi Krasniqi për komentim skandaloz, reagon komentatori: Jam adhurues i Haxhiut - NACIONALE

U akuzua nga Haxhi Krasniqi për komentim skandaloz, reagon komentatori: Jam adhurues i Haxhiut

2 vjet më parë

nga Edonis Bytyqi

Komentatori njëkohësisht ish boksieri Afrim Majanci thotë se është adhurues i Haxhi Krasniqit dhe që ka komentuar vetëm atë që ka parë gjatë ndeshjes pasi u akuzua nga boksieri kosovar se kishte qenë skandaloz.

Ish kampioni i botës Haxhi Krasniqi ishte në qendrën e vëmendjes këto dy ditë pasi mori fitoren kundër Nadjib Mohammedit me gjyqtarin Ajet Rrecaj që e diskualifikoi këtë të fundit pas disa vërejtjeve.

Menjëherë nisën kritikat e shumta drejt Krasniqit, me dashamirët e boksit që e vlerësuan si “fitore pameritë”. Kësisoj, boksieri reagoi duke ia vënë ‘një pjesë të fajit’ komentatorit Majanci, pasi sipas tij komentimi ka qenë tendencioz dhe skandaloz.

Për këtë reagim të Krasniqit, Majanci për Gazetën Nacionale tha se nuk ka pasur kurrfarë tendence, duke shtuar se është një admirues i boksierit me prejardhje nga Juniku.

Sa i përket boksit që e kam komentuar nuk ka pasur asnjë tendencë, hiq fare!”.

Për kundrazi kam pas dëshirë që të fitojë Haxhiu (Krasniqi). Jam adhurues i tij, por kam komentuar vetëm atë që kam parë”.

“Nuk dua të flas më shumë rreth kësaj çështje”, ishte përgjigja e shkurtër por shumë e qartë e ish boksierit.

Haxhi Krasniqi: Tifozët e boksit janë keq-informuar nga komenti skandaloz i Majancit

Boksieri Haxhi Krasniqi nuk e vlerësoi në nivel komentimin e Majancit, duke shkruar se ky komentim ka pasur ndikim të madh te mendimet e njerëzve për meçin.

Ai thotë se Majanci s’i ka komentuar fare momentet në tre raundet e para kur ia ka ‘dridhur’ kokën kundërshtarit dhe gjithashtu nuk ka përmendur goditjet pas koke që i dha boksieri algjerian.

Po kthehem tek komentimi i ztr. Afrim Majancit. Ky zotriu në këtë duel asnjë goditje timen të pastër nuk e paska komentuar, madje as goditjet nga të cilat është dridhur kundërshtari në 3 raundet e para nuk i paska vërejtur. Ndërkaq goditjet pas koke, goditjet me pjesën e brendshme të dorëzave dhe shumë goditje të tjera të pa-pastra, e të palejuara, të kundërshtarit tim nuk i komentoi aspak. Edhemë skandaloze është se ky zotriu as qortimet dhe heqjen e pikëve të kundërshtarit nga referi nuk i kishte parë fare dhe nuk i paska komentuar. Vlerësimi i tij i vetëm paska qenë të shkuarit përpara me kokë nga ana e kundërshtarit”.

Nëse unë boksoja në defanzivë atë e quante humbje, ndërsa ofanzivën e quante prirje, pa marrë parasyshë se goditjet më të shumta të kundërshtarit kanë përfunduar në mbrojtjen time!”.

Unë nuk e di për çfarë arsye ky zotri ia paska “huq” aq fort, por më vjen sinqerisht keq për tifozët e boksit të cilët drejtpërdrejt janë keq-informuar, sepse zëri i komentuesit natyrisht se ndikon shumë tek vlerësimi final i një teleshikuesi”, ishin disa nga fjalitë nga reagimi i ashpër i Krasniqit në “Facebook”.

Kurse, sa i përket gjyqtarit Ajet Rrecaj – ai e vlerësoi si të rregullt gjykimin që bëri duke pretenduar se algjeriani e kishte goditur me dy duart në momentin kur i kishte dhënë vërejtjen e dytë.

Në një intervistë për “GazetaBlic”, Rrecaj deklaroi se ka rregulla në boks dhe që në këtë rast Mohammed nuk i kishte ndjekur, prandaj edhe u diskualifikua pas disa vërejtjeve.

Kur e kam larguar te hera e dytë, ky më ka rënë me dy duart në dorën e majtë. Unë e kam toleruar për shkak të opinionit sepse nuk ka të drejtë me e prek ose fyer arbitrin. Mirëpo edhe një herë kur i kam ndërpre i ka rënë pas koke, pra apet e ka vazhdu dhe për këtë arsye e kam diskualifikuar”.

Lajme të ngjashme