Tyson Fury vazhdon t’i bëjë presion Anthony Joshuas: Pranoje meçin, mos u frikëso tani - NACIONALE

Tyson Fury vazhdon t’i bëjë presion Anthony Joshuas: Pranoje meçin, mos u frikëso tani

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Tyson Fury i ka vazhduar thirrjet për Anthony Joshuan që ta pranojë luftën kundër tij për titullin e botës në kategorinë e rëndë në WBC, duke thënë se bashkatdhetari i vet nuk duhet të frikësohet por t’ua mundësojë tifozëve ta shohin luftën e shumëkërkuar.

I etur për të luftuar edhe një herë deri në fund të këtij viti, Fury ia ka dhënë Joshuas mundësinë për të luftuar për titullin e tij të botës në WBC.

Joshua e ka pranuar ofertën e Furyt, në bazë të së cilës do t’i fitojë 40 për qind të të ardhurave nga ky meç, sipas promotorit të tij Eddie Hearn. Marrëveshja e plotë nuk është arritur ende, megjithatë, sepse data e meçit mbetet e pazgjidhur.

Për këtë arsyeje, Fury i bëri thirrje përsëri të enjten Joshuan që të vendosë përfundimisht, duke ia ofruar dy data të mundshme, 26 nëntor në stadiumin Wembley apo 3 dhjetor në Cardiff.

“AJ nuk kam dëgjuar prej teje ende. Nuk ke thënë asgjë, nëse e do këtë luftë apo jo”, tha Fury në një video të postuar në Twitter.

“Kjo është e gjitha AJ, Eddie, mos u frikësoni tani, pajtohuni për luftën dhe ejani t’ua ofrojmë tifozëve atë që duan. Po ta japë një ujdi të jashtëzakonshme, një mundësi të jashtëzakonshme. Prandaj është koha ta bëjmë.

Ai shtoi: “Dhe AJ, nëse vërtet e do këtë luftë, do ta thoshe se e do dhe thjesht thuaje. 26 nëntor, 3 dhjetor. Pranoje luftën, nuk ka tjetër rrugëdalje”.

Pas disfatës kundër Oleksandr Usyk para dy javëve, Joshua dhe ekipi i tij kishin planifikuar për t’u kthyer në ring kah mesi i dhjetorit. Hearn ka thënë se 17 dhjetori është data e mundshme e meçit, pra një natë para finales së Kupës së Botës në Katar.

Megjithatë, kjo datë është hedhur poshtë nga Fury përsëri: “Sa për ta sqaruar një gjë, asnjëherë nuk ka pasur datë 17 dhjetor. Vetëm 26 nëntor në Wembley apo 3 dhjetor në Cardiff”.

Lajme të ngjashme