Tuchel: Aubameyang është i uritur, ka se çfarë të tregojë
Trajneri i Chelseas, Thomas Tuchel, ka folur për sulmuesin e ardhur në ditën e fundit të afatit kalimtar, Pierre-Emerick Aubameyang, duke thënë se sulmuesi nga Gaboni është ‘i uritur’, ambicioz, i fokusuar dhe se ka çfarë të tregojë ende.
Nënshkrimi i ri i Chelseas e sheh vetën në Londër vetëm shtatë muaj pasi u largua nga Arsenali në drejtim të Barcelonës, për disa probleme jashtë fushës me trajnerin Mikel Arteta.

Aubameyang pësoi një frakturë në nofull përpara se të përfundonte kalimin e tij në Stamford Bridge, por ai ka udhëtuar me skuadrën e tij në Kroaci dhe është stërvitur me maskë mbrojtëse, përpara ndeshjes së parë në grupe të Ligës së Kampionëve, kundër Dinamo Zagrebit, ndeshje kjo e grupit E.
Trajneri i gjerman i të kaltërve e ka konfirmuar se sulmuesi 33-vjeçar mund ta bëjë debutimin e tij sot, qoftë nga fillimi apo i inkuadruar më vonë në lojë.
“Ne patëm mundësinë që të marrim me vete çdo futbollistë që është i gatshëm në Zagreb, që ta bëjnë stërvitjen e fundit, përfshirë Denis Zakarian dhe Aubameyangun”, tha fillimisht Tuchel.

“Auba pati një test me maskën në fytyrë, u ndje mirë, u stërvit normal, kështu që nëse gjithçka shkon mirë sot, të dy lojtarët do të jenë të gatshëm për të luajtur.”
Për sulmuesin gabonez, Tuchel vazhdoi: “Ai është një lloje lojtari që lulëzon kur skuadra është në vështirësi, është shumë ambicioz, i fokusuar dhe i uritur të luajë për ne dhe të provojë se ende ka për të dhënë.”
“Kjo është arsyeja pse ai është këtu, ajo se çka ndjeu që nga momenti i parë dhe ai është i lumtur që është i ftuar për ta treguar vetën sonte.”

I pyetur se a pati Auba problem të stërvitej me maskë në fytyrë, Tuchel tha: “Nëse ka ndonjë problem ai nuk do të luajë, sigurisht. Por nuk kishte dje probleme dhe shpresoj që as sot të mos ketë.”
“A është i gatshëm ai të luajë që nga fillimi? Normalisht që po. Por ai nuk mund të luajë 90 minuta. Kjo ka të bëjë me ne se si i marrim vendimet dhe si t’i menaxhojmë minutat. Është e qartë se ai ka nevojë të ketë minuta që të kap ritmin dhe të arrijë fitnesin e duhur. Kështu që është në dorën tonë se a do të fillojë ndeshjen si titullar apo do ta nisë nga banka rezervë”, tha për fund trajneri gjerman.
